Iniciativa qytetare Më mirë për Tetovën sot organizoi xhiro me biçikleta me nisje dhe përfundim në sheshin “Iliria”, e cila kishte për qëllim rritjes e vetëdijës për përdorimin e biçikletave, njofton Portalb.mk.
Agron Arifi nga Iniciativa qytetare Më mirë për Tetovën theksoi se me organizimin e xhiros dëshirojnë të përçojnë një mesazh që sa më shumë fëmijët t’i përdorin biçikletat dhe të largohen nga trotinetët elektrik.
“Veçanërisht një apel prindërve që fëmijlve nën moshën 18-vjeçare të mos ua lejojnë vozitjen e trotinetëve elektrik, pasi paraqet rrezik. Atë e kemi të konfirmuar edhe me statistika që vijnë nga Klinika e Ortopedisë, pasiqë shumë fëmijë por edhe të rritur kanë pësuar lëndime të ndryshme duke vozitur trotinetë elektrik. Falënderojmë Policinë e Tetovës, e cila na mbështet për të siguruar rutën dhe sponsorët të cilët edhe sivjet na dhanë pesë biçikleta donacion që në fund do t’i shpërndajmë me një organizim të shortit për fëmijët”, tha Arifi.
Aktivisti Arianit Xhaferi potencoi se Tetova ka nevojë për më shumë shtigje dhe biçikleta, sepse, siç tha, qytetarët janë të rrezikuar.
“Tetova pothuajse s’ka fare shtigje për biçikleta dhe është e nevojshme që të ketë. Shumë nga ne përfshirë edhe veten time, shfrytëzojmë biçikletat për të lëvizur brenda ditës brenda qytetit, dhe sigurisht që nuk ndjehemi të sigurtë shkaku që trafiku është i rënduar, vetura të parkuara paralelisht që e vështirësojnë edhe lëvizjet e vetura por sidomos të çikliktëve. Është mirë të mendohet dhe të krijohen shtigje për biçikleta nëpër gjithë qytetin, që të lidhet më mirë një pjesë e qytetit me pjesën tjetër. Të bëhet më i kapshëm për çiklitët dhe klmbësorët, jo vetëm për shoferët”, tha Xhaferi.
Një qytetar që mori pjesë në xhiron me biçikleta apeloi që biçikletat të përdoren sa më shumë.
“Defitinivisht është e nevojshme. Për siguri, kisha thënë qënuk janëkushtet dhe rendet aty ku janë. Nuk do të kisha thënë se ndjehem i sigurtë sa e di dhe sa kam dëgjuar se janë kushtet në vende të tjera në Evropë, edhe pse jemi larg prej atyre kushteteve. Por, mendoj që ka nevojë që të aktualizohet kjo çështje. ka nevojë që njerëzit më shumë të dalin biçikleta – normal që zvogëlohet ngarkesa në komunikacion, zvogëlohe emisionet, ka ndikim në shëndetin e njerëzve…definitivisht duhet ta promovojmë dhe t’i stimulojmë njerëzit që të dalin më shumë me biçiklet”, deklaroi qytetari.
Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhet deri në përfundim të këtij mandati, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.
Kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi.
Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual Bilall Kasami e largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt.
Ai në janar 2022 dorëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit.
Largimi i shtegut për biçikleta nxiti reagime të shumta në opinion se nuk duhej të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit.
Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhej fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i cili ishte i gjerë 1 metër kurse pati kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro.
Pas largimit të shtegut të biçikletave në vitin 2021, që atëherë nuk është ndërtuar asnjë shteg i ri.

