Rajon - Botë

Me lot në sy, vajzat e mitura shiten nga familje që vuajnë nga uria

Dy javë më parë, teksa Afganistani u përfshi nga moti i ftohtë, Halimi mori vendimin ta shesë vajzën e tij vetëm 8-vjeçare, Noqrën, një vajzë e gjallë, e cila mjaftohej vetëm duke luajtur jashtë kasolles së betonit të familjes. 70-vjeçari ka në plan ta shesë vajzën e tij brenda një muaji, prej të cilës pretendon të marrë jo më shumë se 1 mijë dollar, para me të cilat do të siguronte ushqim për pjesën tjetër të familjes.

Zohra është një tjetër rast, ajo është vetëm 7 vjeç dhe aktualisht jeton në kasollen e familjes së saj në provincën Ghor, në veriperëndim të Afganistanit. Babai i saj, Qadiri, ishte një punëtor krahu dhe fitonte deri në 3 dollarë në ditë, por që kur talebanët morën kontrollin e vendit në muajin gusht, ai nuk ka punuar më asnjë ditë. Qadir u takua me blerësin e vajzës së tij, për të cilin ai nuk di asgjë tjetër veç emrit dhe që jeton 4 kilometra larg shtëpisë. As që bëhet fjalë për ndonjë kontratë, madje ai nuk e di edhe kur do të ndodhë shitja. “Blerësi nuk më tha asgjë kur do të vinte”, Thotë Qadir shkruan Daily Mail. “Vajza ime, Zahra, qan ditë e natë. Ajo e kupton vendimin e babait të saj”, flet nëna e vajzës me lot në sy. Është e pamundur të kuptohet makthi me të cilin po jeton kjo familje, ku çdo ditë mund të jetë e fundit për Zohrën në atë kasolle.

Një rast i rëndë është edhe ai i Najiba-s, 14 vjeçe, e cila ishte një nxënëse që ëndërronte të bëhej një ditë mësuese, por talebanët urdhëruan që shkollat e mesme të mbylleshin për vajzat, duke shuar çdo ëndërr të saj. Vitin e kaluar, babai i Najiba-s vdiq, ndërsa nëna me 3 fëmijë të tjerë, po ndihmohet nga xhaxhai i saj Ahmad, 44 vjeç. Tre muaj më parë, ai vendosi ta shiste Najiban, pasi në të kundërt familja nuk do të mund të mbijetonte. “Po më shesin sepse nuk kemi se çfarë të hamë. Nuk është momenti që unë të martohem, por nuk kam asnjë mundësi tjetër. Nuk kam baba apo vëlla më të madh që të na ushqejë”, është shprehur 14-vjeçarja.