May 4, 2024
Maqedoni

Me dijeninë e politikanëve “helmohen” qytetarët, vaj i rrezikshëm është importuar si mazut

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nuk ka qenë i njoftuar se te ne është importuar vaj i rrezikshëm që është deklaruar si mazut. Bekteshi përgjegjësinë e adresoi te drejtori i shkarkuar i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski. Sipas Bekteshit, inspektorati për dy vite ka bërë vetëm një inspektim për cilësinë e karburantit.

“Unë nuk do doja të përdor fjalën që në atë hulumtim drejtori, gënjeu, por ka thënë shumë të pavërteta duke pasur parasysh se pikërisht ky laborator i lëvizshëm ka mund të përdoret për të bërë kontrolle të tilla, dhe ai kurrë nuk iu drejtua Ministrisë së Ekonomisë, as në Byronë e Meteorologjisë, e aq që e informoi Qeverinë nëse kishte informacione të tilla. Ne si Ministri e Ekonomisë nuk kemi pasur informacione të tilla- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas storjes televizive të redaksisë së Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese e publikuar në TVM, ndotja e lartë e ajrit në vend është shkaktuar nga tonelata karburant të rrezikshëm që në mënyrë të rrejshme është treguar si mazut. Atë e kanë përdorur edhe institucionet shtetërore. Sipas storjes, kompania “Eurotim” nga Kërçova, ka furnizuar institucione me mazut, që në fakt ka qenë vaj i djegur që ndot ajrin. Atë e ka marrë nga kompania boshnjake “Hifa Oil”, ndërsa ata e kanë marrë atë nga kompania çeke “Unipetrol”. Atje lënda djegëse nuk është shënuar si mazut, por si vaj i rrezikshëm i dëmshëm për shëndetin dhe jetën e njeriut. Si i tillë, është tatuar në Bosnjë, por jo edhe në Maqedoni, sepse në vendin tonë, tash për tash në mënyrë të paqartë, ka marrë deklaratë tjetër, respektivisht sikur të ishte mazut.

Alsat pyeti Drejtorinë e Doganave pse është ndryshuar deklarata, dhe vaji i mbetur, i cili nuk guxon të digjet në BE, te ne në mënyrë misterioze ka marrë numër tjetër tarifor sikur të ishte mazut, i cili është legal edhe për import dhe për djegie?

Drejtoria e Doganave

„Vajrat minerale janë kategorizuar në kategori të ndryshme sipas nivelit të distilimit, edhe atë si vajra të lehta, vajra mesatarë, dhe vajra të rëndë dhe vajra për ngrohje. Në nomenklaturën doganore dhe në tarifën doganore nuk ka kategori ose numër tarifor për vajra të rrezikshëm ose vajrat jo të rrezikshëm… ”

Sipas hulumtimit gazetaresk, kompania “Eurotim” me vajin e rrezikshëm i ka furnizuar kompaninë e Velesit, “BRAKO”, të ish zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, dhe ish kombinatin FENI, ndërsa tani EURONIKEL në Kavadar. Angjushev përmes kompanisë Brako demantoi se ka ndonjë lidhje me importin e vajit toksik.

BRAKO

“As z. Koço Angjushev as “Brako” Veles nuk kanë lidhje me importin e vajrave toksike apo mazutit, e as “Brako” Veles nuk është konsumator i madh i mazutit në Maqedoni. E vërteta është se “Brako” Veles kurrë nuk ka importuar mazut… ”

Kryetari i Komunës së Kavadarit, në komunën e të cilit vepron ish FENI, e cila theksohet se përdor karburant të dëmshëm, kërkon zbardhjen e rastit.

“Me importin e vajit të djegur që është i ndaluar në Bashkimin Evropian dhe në vendin tonë importohet dhe përdoret si mazut, dhe duke e ditur se ka pasoja vdekjeprurëse, dikush duhet të mbajë përgjegjësi- deklaroi Mitko Jançev, Kryetar i Komunës së Kavadarit.

Kete dimër dhe vjeshtë qyteti më i ndotur në vend ishte Kavadari.