Nënshkrimi i një marrëveshjeje për shkëmbimin e të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes e ka rikthyer në fokus bashkëpunimin ushtarak mes Serbisë dhe Izraelit.
Autoritetet thonë se marrëveshja e re krijon kushte për bashkëpunim mes dy shteteve në fushën e industrisë së mbrojtjes, por nuk japin hollësi.
Opozita ka kritikuar thellimin e bashkëpunimit me Izraelin, duke vlerësuar se ai po ndodh në një moment të papërshtatshëm, marrë parasysh operacionet ushtarake të këtij shteti në Gazë, dhe përfshirjen e tij në konfliktin me Iranin.
Duke komentuar këto vlerësime, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 5 maj se nuk dëshiron t’i japë llogari askujt, dhe se shteti bashkëpunon si me Iranin, ashtu edhe me Izraelin.
Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë, Nikolla Lluniq, thotë se marrëveshje të tilla janë hapi i parë që shtetet ndërmarrin kur eksportojnë teknologji të sofistikuar ushtarake, dhe supozon se kështu është edhe në këtë rast.
“Asnjë kompani e industrisë së mbrojtjes me produkte moderne nuk do të vijë në një vend të tretë, nëse teknologjia e saj nuk mbrohet në mënyrën e duhur”, shprehet Lluniq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).
Aeroporti “Nikolla Teslla” i Beogradit nuk jep detaje për atë që është transportuar nga aeroplanët e mallrave që fluturuan nga Beogradi në Tel Aviv dhe anasjelltas, në shkurt dhe në mars.
Fluturimet misterioze mes Tel Avivit dhe Beogradit ngrenë dyshime për transport armësh
Qeveria e Serbisë dhe Ministria serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se çfarë sjell kjo marrëveshje në bashkëpunimin mes dy shteteve. Deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigj as Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.
Izraeli nuk është i vetmi vend me të cilin Serbia shkëmben dhe mbron të dhëna sekrete.
Beogradi ka marrëveshje të tilla me më shumë se 20 vende dhe organizata ndërkombëtare.
Çfarë u nënshkrua me Izraelin?
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe ajo e Izraelit nënshkruan Marrëveshjen e përgjithshme të sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes.
“Qëllimet e kësaj marrëveshjeje janë të sigurojë mbrojtjen e të dhënave sekrete, që transmetohen ose shkëmbehen mes palëve, të sigurojë mbrojtjen e objekteve, sigurinë e personelit dhe çështje të tjera për të cilat palët merren vesh bashkërisht”, tha përfaqësuesi i Ministrisë serbe të Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Mbrojtje.
Ai nuk saktësoi se për cilat projekte bëhet fjalë, por shtoi se nisma për marrëveshjen kishte ardhur nga pala izraelite.
Çfarë janë tëdhënat sekrete?
Ligji në Serbi i përkufizon të dhënat sekrete si informacione ose materiale me interes për shtetin, zbulimi i paautorizuar i të cilave mund të dëmtojë interesat e vendit.
Ato, ndër të tjera, mund të lidhen me sigurinë kombëtare dhe publike, marrëdhëniet me shtetet e tjera, mbrojtjen, politikën e jashtme dhe çështjet e inteligjencës.
Në bazë të ligjit, atyre u përcaktohet afati dhe niveli i sekretit, prandaj mund të mbajnë shënimet “sekret shtetëror”, “rreptësisht konfidenciale”, “konfidenciale” ose “të brendshme”.
Në përputhje me marrëveshjet dypalëshe, Serbia mund të disponojë edhe me të dhëna sekrete të një shteti tjetër.
Zbatimi para ratifikimit
Marrëveshja me Izraelin hyri në fuqi para se për ratifikimin e saj të votonin deputetët e Kuvendit të Serbisë.
Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Komisioni parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme dha më 29 prill pëlqimin për zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes, deri në hyrjen zyrtare të saj në fuqi.
Sipas ligjit, kjo është e mundur nëse Qeveria e arsyeton zbatimin e menjëhershëm me nevojën për urgjencë.
I pyetur nga përfaqësuesit e opozitës se pse po insistohet në procedura urgjente, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, tha se zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë hyrjen sa më të shpejtë në fuqi të kontratave për “pajisjen me armatim dhe përmirësimin e aftësive operative të Ushtrisë së Serbisë”.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse kjo lidhet me fabrikën e paralajmëruar të dronëve.
Çfarë dihet për fabrikën e dronëve?
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, paralajmëroi më 14 prill se shteti serb do të ndërtojë në territorin e vet, së bashku me Izraelin, një fabrikë të “dronëve më të mirë në këtë pjesë të botës”.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe gazeta izraelite Haaretz kanë raportuar se Beogradi është marrë vesh për ndërtimin e fabrikës me gjigantin izraelit të prodhimit të pajisjeve ushtarake, Elbit Systems.
Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga Ministria serbe për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme, Serbia edhe më herët ka blerë armatim dhe pajisje ushtarake nga e njëjta kompani.
Në gusht të vitit 2025, mediat izraelite raportuan se Serbia kishte lidhur me këtë kompani një kontratë për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të sofistikuara ushtarake në vlerë prej 1.64 miliard dollarësh.
Autoritetet në Serbi as nuk e kanë konfirmuar, as nuk e kanë mohuar këtë.
Me kë ka Serbia marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave sekrete?
Shkëmbimi i të dhënave sekrete me shtete të tjera në Serbi parashihet me ligj, por vetëm nëse ekzistojnë mrrëveshje dypalëshe të nënshkruara.
Dokumente të tilla Beogradi ka që nga viti 2011 me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe disa shtete anëtare të tij, me Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë, si dhe me shtetet fqinje: Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hrcegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Hungarinë.

