April 29, 2024
Maqedoni

Historike: Mbledhja e përbashkët e Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë

Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë, sot në në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, fjalën fillestare para ligjvënësve e patën kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Mbledhja vijoi me fjalimin e kryeministrit Edi Rama, i cili u pasua nga homologu i tij, Albin Kurti. Nga një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë është mbyllur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe homologia e tij Lindita Nikolla.

“Sot e nisëm një praktikë të re të bashkëpunimit parlamentar mes kuvendeve tona dhe kjo mbledhje e parë e përbashkët e organizuar duke e shënuar dhe kremtuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë është hap i sigurtë që të vazhdojmë edhe me thellimin e bashkëpunimit tonë në të ardhmën”, është shprehur Konjufca.

“Mbledhjen e parë të përbashkët të dy kuvendeve, të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës e deklarojë të mbyllur”, është shprehur Nikolla.

Në shënim të këtij përvjetori, pritet të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore.

Rama: Njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë më herët sesa vonë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur besimin se së shpejti do të bëhet njohja përfundimtare e Kosovës, në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve.

“Besoj se edhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë, dhe se Kosova nuk do të pres kaq sa ka pritur prej se ka shpallur pavarësinë, për t’u njohur përfundimisht, ndërkombëtarisht, dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë, të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë”, ka thënë Rama, transmeton Klankosova.tv.

“Marrëdhëniet mesh Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë thjesht të shkëlqyera, sepse jemi dy vende të ndara me dy shtete, por të bashkuar me zemër, por janë edhe më produktive më shumë se kurrë më parë. Këtë e tregojnë faktet, jo vetëm mbledhjet, por nga vullneti dhe nga arritja e aftësisë. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej e pamundur, apo Abetaren e përbashkët, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar dhe për historinë e shqiptarëve”, shtoi Rama.

Tutje ai tha se shpallja e gjuhës shqipe zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe kryeministri i parë shqiptar në Mal të Zi, janë një arritje tjetër që nuk imagjinohej më herët.

“Nga ana tjetër, akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut, shumë më vonë pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si një gjuhë e një pale të padëshirueshme, ku flamuri shqiptar shihej si provokim. Në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kush do ta mendonte se Maqedonia e Veriut do të kishte shqipen gjuhë zyrtare, do të kishte pjesëmarrjen më të lartë të shqiptarëve në qeveri dhe institucione, madje kryetarin e kuvendit e ka shqiptar. Kush do ta mendonte se do të vinte dita që Mali i Zi të kishte kryeministër shqiptar, siç e ka tani”, tha Rama.

Kurti: Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen mes dy kuvendeve, atë të Kosovës dhe Shqipërisë për nder të 110 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka thënë se

“Disa ditë para festës së flamurit, Gurakuqi që kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi shkruante “e kremtja e 28 nëntorit duhet të jetë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen e të bëjmë shqyrtimin e vetëdijes sonë. Në këtë ditë duhet të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim vetën në e kemi bërë gjithëkund e gjithmonë detyrën që e kishim për atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhërimet e armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vllazërisht dorën njëri-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë që sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë” – mbaron citati. I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake edhe këtyre sukseseve. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të shtohen në çdo ditë të flamurit. Ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për sukseset tuaja ashtu gëzohen edhe në Shqipëri për sukseset e Kosovës. Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona e familjet e tyre. E di që nuk po shkoni për qejf, por prej brengës, e di që nuk kemi bërë mjaftueshëm që tua kthejmë besimin në institucione e që fëmijët tuaj ti rrisni në atdheun tuaj, por ju garantoj që këtë betejë do ta bëjmë deri në fund. Ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengesë e prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit. Të punojmë së bashku”, tha Kurti.

“U largova për të përfaqësuar kombin shqiptar”, Berisha: Rama i ka futur thika pas shpine Kosovës

Ish-kryeministri, Sali Berisha la sallën e Kuvendit, ku po zhvillohej mbledhja e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në momentin që nisi fjalën kryeministri Edi Rama.

“Ju uroj shqiptarëve sot, gëzuar përvjetorin e pavarësisë, shpreh dhe përulem me nderimin më të madh përpara Ismail Qemalit, Ibrahim Rugovës dhe burrave të mëdhenj të botës që bënë të pamundurën që Shqipëria dhe Kosovës të jenë dy vende të pavarura. Një nderim i veçantë u përket atyre që derdhën gjak që sakrifikuan për lirinë dhe jetën që të jemi të pavarur. Asnjë komb nuk ka sakrifikuar për liri më shumë se shqiptarët. Nën udhëheqjen e komandantit Adem Jashari, shqiptarët kryen luftën e fundit në Europë dhe Kosova falë ndërhyrjes së NATO-s u bë e lirë” tha Berisha.

Por, sot nuk mund të mos ndalem të theksoj se aktualisht, në platformën e këtij parlamenti, po flet njëri nga dy armiqtë kryesorë të qenies së shqiptarëve që nga themelimi deri më sot, një nga armiqtë më kryesorë ët Kosovës, njeriu i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij, Alekandër Vuçiç, njeriu që në vend që të bëjë avokatinë e Kosovës, të mbrojë interesat legjitime të saj, kalon nga samiti në samit duke lobuar për Vuçiçin dhe Rusinë e vogël në zemër të Ballkanit, Serbinë. Edi Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme. Ai u përpoq të zhbëjë arritjet e saj, përfshirë këtu edhe skenarët për ndarjen e saj me Aleksandër Vuçiç. Për të justifikuar vasalitetin ndaj Vuçiçit, ai kërcënon me luftën e Vuçiçit. Në të gjithë këto qëndrime, ai rezulton të jetë një antishqiptar i rrezikshëm për kombin shqiptar.

“Edi Rama nuk është vetëm vasali i neveritshëm i serbomadhit Vuçiç. Ai është njeriu që po shkatërron më shumë se kushdo tjetër, materien, qenien, identetitin kombëtar të shqiptarëve. Me politikat e tij, ai ka përzënë 27 përqind të popullsisë vetëm drejt BE, pa llogaritur në vendet tjera“, tha Berisha.

Në këtë kontekst ai meriton urdhrin e artë të Çubrilloviçit, ai ka zbatuar me përpikmëri platformën e tij për dëbimin e shqiptarëve. Ai është hajduti më i madh i të gjitha kohërave, tejkalon çdo hajni të kryer ndonjëherë, mjafton të kujtoj vjedhjen më të madhe që po bën ndonjëherë, atë të Portit të Durrësit.

Në këto rrethana, sot është një ditë kushtrimi për të gjithë shqiptarët, të qëndrojmë më shumë se kurrë të bashkuar kundër këtij armiku të egër të interesit kombëtar, kundër këtij armiku të egër të qenies kombëtare, kundër këtij armiku që po shpopullon dhe e shndërron Shqipërinë në kombin e gomoneve. Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë është një kushtrim për shqiptarët: në këmbë, në këmbë, në këmbë.

“Fakti që u largova nga parlamenti, u largova për të përfaqësuar kombin shqiptar, të gjithë qytetarët e Kosovës që ndjehen të tradhtuar nga një kryeministër shqiptar, u largova për të përfaqësuar ndjenjat e dhjetëra-mijëra familjeve shqiptare që kanë humbur familjet e tyre nga barbaritë serbe, dhe Edi Rama prej katër muajsh, nuk lejon votimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. U largova për të përfaqësuar ata dhjetëra-mijëra shqiptarë qau larguan nga Shqipëria prej politikave çnjerëzore të Edi Ramës. Të gjitha këto janë arsyet që nuk mund të pranoja të dëgjoja ligjëratën e një njeriu, që pas Enver Hoxhës është armiku më i egër i kombit shqiptar“, shtoi Berisha.