Gjithsej 1.026 magjistra dhe 39 doktorë shkencash figurojnë si të papunë në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë për Punësim, deri më 31 gusht 2026.
Nga numri i përgjithshëm i magjistrave të papunë, 639 janë burra dhe 387 gra. Ndërkaq, nga personat me titull doktor shkencash që figurojnë si të papunë, 26 janë burra dhe 13 gra.
Krahasuar me muajin paraprak, në gusht është shënuar një rënie e lehtë e numrit të personave me arsim të lartë pasuniversitar që kërkojnë punë. Në korrik ishin evidentuar 1.068 magjistra dhe 40 doktorë shkencash, përkatësisht 42 magjistra dhe një doktor më shumë se në gusht.
Të dhënat dëshmojnë se edhe personat me studime të përfunduara pasuniversitare dhe doktoratë përballen me vështirësi në tregun e punës.
Ndërkohë, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15–29 vjeç, në tremujorin e dytë të vitit 2026, ka arritur në 24 për qind. Shkalla e përgjithshme e papunësisë në vend ishte 11,3 për qind.

