Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Si profesor universitar i së drejtës kushtetuese me përvojë tashmë 25-së vjeçare akademike dhe anëtar i grupit punues qeveritar të ngarkuar me gjetjen e një zgjidhjeje juridike për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, me shqetësim të thellë i kam ndjekur zhvillimet e fundit në Ministrinë e Drejtësisë ku refuzimi i peticionit të 385-së studentëve shqiptarë të tre Universiteteve me mësim në gjuhën shqipe çoi në organizimin e një proteste të studentëve për 6 prill, e cila, është e justifikuar.
Ndërsa, nuk do të jem fizikisht i pranishëm në rrugë bashkë me studentët e mi, duke zgjedhur në vend të kësaj të përfaqësoj këtë kërkesë legjitime të studentëve nëpërmjet argumentimit juridik brenda takimeve të grupit të punës, dëshiroj të shpreh mbështetjen time të fortë, publike dhe morale për kauzën e studentëve.
Roli im brenda grupit të punës kërkon një nivel neutraliteti dhe kolegjialiteti profesional për të siguruar një dialog funksional me kolegët e mi të nderuar maqedonas, ndërsa, roli im si profesor dhe studiues i drejtësisë kërkon që të thuhet e vërteta: kërkesa për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është thjesht një tekë politike ose partiake e as një përpjekje për të minuar sistemin gjyqësor të Maqedonisë, por është një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me Ligjin e përdorimit të gjuhëve.
Juridikisht është e paqëndrueshme t’i lejosh një studenti të përfundojë katër vjet studime juridike dhe një vjet studime të magjistraturës në gjuhën shqipe, të hulumtojë dhe të shkruajë tezën e magjistraturës në gjuhën shqipe dhe më pas t’i thuhet se “porta e fundit” dhe kritike drejt profesionit të ardhshëm pra, provimi i jurisprudencës, duhet të jepet vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo gjë, në fakt, vepron si një barrierë e fshehur, duke e transformuar gjuhën në një filtër për drejtësi.
Një shtet anëtar i NATO-s, që synon barazi të plotë dhe integrim evropian nuk mund të përballojë trajtimin e ndryshëm të arritjeve akademike dhe profesionale të qytetarëve të tij bazuar në gjuhën e tyre amtare.
Një mesazh për Kryeministrin dhe kolegun tonë z. Mickoski: z. Kryeministër ju jeni kolegu ynë nga bota akademike, profesor universitar. Ju e kuptoni më mirë se pjesa dërmuese e qytetarëve tanë, se gurthemeli i arsimit sipëror është aftësia për të zotëruar lëndën në gjuhën e mësimdhënies.
Kur kohën e fundit publikisht deklaruat se, nëse ka një kërkesë që provimi i jurisprudencës të jetë në gjuhën shqipe, ai duhet të lejohet, ju folët tamam si një burrë shteti që e njeh thellë realitetin shumëetnik dhe shumëgjuhësor të shtetit tonë. Megjithatë, refuzimi i këtij peticioni të studentëve nga Ministri i Drejtësisë krijoi një kontradiktë brenda administratës qeveritare. Andaj, duhet të kapërcehet ky boshllëk duke sjellë logjikë juridike dhe profesionale, sepse provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk ka të bëjë me krijimin e sistemeve “të ndara” të drejtësisë, por me ofrimin e aksesit të barabartë për studentët tanë për t’i shërbyer të njëjtit sistem të drejtësisë.
Z. Kryeministër, stabiliteti dhe reformimi i sistemit tonë të drejtësisë varen nga përfshirja, me ç’rast, funksionaliteti i shtetit kuptohet se është i rëndësishëm, por megjithatë ai duhet të jetë i balancuar me të drejtat e bashkësive për të bashkëvepruar me sistemin e drejtësisë në gjuhën e tyre amtare. Andaj, jam i bindur se, do të shikoni përtej “Jo”-së burokratike të lëshuar nga Ministri i Drejtësisë dhe nuk do të lejoni që, bllokimi procedural i Ministrit të Drejtësisë, të shndërrohet në një krizë të ardhshme besimi.
Kolegë studentë të dashur, zëri juaj është jetësor dhe dijeni se, argumentet e juaja po mbështeten brenda korridoreve të qeverisë.
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuesenë UEJL)

