Rajon - Botë

Masakër e re në Gaza teksa prisnin ndihmat, Hamasi propozon armëpushim

Hamasi u ka paraqitur ndërmjetësuesve një propozim për armëpushim në Gaza, i cili përfshin një fazë fillestare të lirimit të grave, fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve izraelitë të mbajtur peng në këmbim të lirimit të 700-1000 të burgosurve palestinezë.

Fondamentalistët kërkuan gjithashtu lirimin e 100 të burgosurve palestinezë që vuajnë dënimin e përjetshëm në burgjet izraelite dhe atë të ushtareve femra izraelite.

Hamasi tha se do të binte dakord për një datë për një armëpushim të përhershëm, pas shkëmbimit fillestar të pengjeve dhe të burgosurve.

Një ditë më parë, Izraeli i quajti kërkesat e Hamasit jo reale, për një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve

Një përditësim për këtë çështje do t’i dorëzohet nesër kabinetit të luftës dhe kabinetit të sigurisë”, njoftoi zyra e kryeministrit Netanjahu.

Ndërkohë Ministria palestineze e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se numri i masakrës së re të civilëve që prisnin ndihma humanitare mbrëmë në qytetin e Gazës është rritur në 21 të vdekur dhe të paktën 150 të plagosur.

Burimet lokale të cituara nga agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportojnë se bombardimet ajrore dhe zjarri i artilerisë goditën një turmë qytetarësh që prisnin ushqim dhe ndihma për të mbërritur pranë rrethrrotullimit të Kuvajtit, në qytetin kryesor të Rripit.

Por zëdhënësi në gjuhën arabe i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Avichay Adraee, mohon raportet që u shfaqën në mediat arabe dhe palestineze, sipas të cilave trupat e Shtetit Hebraik hapën zjarr dje në mbrëmje mbi njerëzit që prisnin ndihmë në qytetin e Gaza, duke vrarë të paktën 21 persona.