May 11, 2024
Rajon - Botë

Zgjedhjet presidenciale në Rusi, Putini gëzon mbështetjen e 80% të qytetarëve

Votimi treditor për zgjedhjet presidenciale në Rusi u hap në 11 zona kohore në 94.000 qendra votimi. Zgjedhjet do të vëzhgohen nga delegacione nga 36 vende dhe pesë organizata ndërkombëtare dhe më shumë se 200 vëzhgues të akredituar parlamentar.

Qytetarët zgjedhin mes katër kandidatëve: Nikolai Khritonov nga Partia Komuniste, Leonid Slucki nga Partia Liberal Demokratike, Vladislav Davankov nga partia Populli i Ri dhe Vladimir Putin si kandidat i pavarur për mandatin e pestë. Sondazhet e publikuara nga media shtetërore ruse tregojnë se Putini gëzon mbështetjen e rreth 80 për qind të qytetarëve, që është më shumë se para fillimit të luftës në Ukrainë.

Sipas analistëve, presidenti aktual ka kontroll të plotë mbi sistemin politik dhe tre kandidatët në fletëvotim janë politikanë të profilit të ulët të rreshtuar me Kremlinin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë rezultatet e para më 17 mars në orën 21:00, ndërsa rezultatet preliminare do t’i shpallen më 18 mars.