April 28, 2024
Maqedoni

Maqedonia në mesin e vendeve “delikuente” të NATO-s sipas Trump

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë një nga shtetet, të cilave kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, iu referua si delikuente ditë më parë, kur u shpreh se do ta linte Rusinë të bënte çfarë të donte me anëtarët e NATO-s që nuk ndajnë 2 për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtje.

Deklarata e ish-presidentit amerikan ka nxitur reagime të shumta. Duke folur në një paraqitje në kuadër të fushatës, Trumpi u shpreh se nuk do t’i mbronte anëtarët që nuk u përmbahen rregullave të aleancës.

“Nuk keni paguar? Jeni delikuent?” ka thënë Trumpi. “Jo, s’do të ju mbroja juve. Në fakt do t’i inkurajoja ata që të bëjnë çfarëdo dreqi që duan. Ju duhet të paguani. Ju duhet t’i paguani faturat”.

E siç shkruan “Associated Press”, janë 19 aleate të NATO-s që nuk e përmbushin udhëzimin e shpenzimit për mbrojtje të 2 për qind të GDP-së. Ndër to është edhe Shqipëria, që më 2023, sipas AP-së ka ndarë 1.8 për qind të GDP-së për mbrojtje.

Sikur Shqipëria, nën prag janë edhe Luksemburgu, Belgjika, Spanja, Turqia, Sllovenia, Kanadaja, Italia, Portugalia, Republika Çeke, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Holanda, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Franca.

Sllovakia, Mbretëria e Bashkuar, Letonia, Hungaria, Rumania, Finlanda, Lituania, Estonia, Greqia, SHBA-ja e Polonia, janë shtetet që kanë ndarë mjete sipas udhëzimeve të NATO-s.

Dypërqindëshi është pikë referimi që çdo anëtar duhet të shpenzojë për mbrojtjen e vet në mënyrë që të kontribuohet në mbrojtjen e përbashkët të aleancës. Megjithatë, qëllimi është vullnetar dhe s’ka borxh apo “delikuencë”.