Maqedoni

Maqedonia e Veriut ka një pilot për shuarjen e zjarrit

Tre aerotraktorë janë gati për të shuar zjarret në pyje, por nuk ka kush t’i drejtojë. Pasi dy pilotët dolën në pension, mbeti vetëm një. Për momentin nuk mund të publikohet konkurs për punësim sepse janë shpallur zgjedhjet parlamentare dhe në prag të zgjedhjeve nuk lejohen punësime të reja në institucionet shtetërore.

Njëri prej aeroraktorëve këtë javë ishte pjesë e një stërvitjeje ndërkombëtare së bashku me avionët e rinj AT-802 që debutuan në Maqedoni dhe janë në pronësi të Turqisë. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në bisedë për TV21 thotë se në mbledhjen e qeverisë këto ditë do të diskutohet për zgjidhjen e problemit të mungesës së pilotëve.

“Është e vërtetë që dolën në pension dy pilotë, por nuk mundëm të shpallnim punësimin e të rinjve, pasi në momentin kur e morëm pëlqimin nga Ministria e Financave, ishin shpallur zgjedhjet. Në këtë periudhë të vitit nuk kemi zjarre në pyje, andaj nuk duhet të ndërhyjnë “aerotraktorët”. Tani kemi zjarre sepse i vihet flaka kashtave dhe për to ndërhyjnë zjarrfikësit”, tha Bekim Maksuti, drejtor i DMSH.

Për dallim nga sezonet e kaluara, këtë verë Aerotraktorët do të jenë gati për të shuar zjarret. Në periudhën e ardhshme duhet të shpallet tenderi për servisim të rregullt të avionëve, pas çka dy do të shkojnë për servisim, por do të kthehen para fillimit të sezonit veror të zjarreve. Avioni i tretë mund të fluturojë deri në gusht dhe pastaj do të dërgohet për servisim.

Stërvitja, e cila u zhvillua këtë javë në Maqedoni, synon që vendet e rajonit të funksionojnë si një organ dhe, nëse është e nevojshme, të ridrejtohen në çdo vend. Me fondet e projektit IPA u blenë pajisje shtesë moderne, të cilat do të përdoren për herë të parë këtë sezon në vendin tonë.