Të dhënat e Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2025 flasin për besim të venitur të konsumatorëve në Evropë për blerjen ose ndërtimin e një banese brenda 12 muajve të ardhshëm. Me një nivel besimi prej -75.1 për qind pjesa dërrmuese e familjeve në Maqedoni nuk e shohin të mundshme blerjen ose ndërtimin e një shtëpie në 12 muajt në vijim. Më optimistë se Serbia dhe Shqipëria, por më pesimistë sesa Mali i Zi apo Kroacia
Evis HALILI
Shkup, 26 nëntor – Të investosh në një pronë, të blesh një shtëpi? Gatishmëria e konsumatorëve për investime në pasuri të paluajtshme është në rënie. Të dhënat e Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2025 flasin për besim të venitur të konsumatorëve në Evropë për blerjen ose ndërtimin e një banese brenda 12 muajve të ardhshëm. Eurostat e mat indeksin e besimit përmes balancës së përgjigjeve. Maqedonia e Veriut, në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian (-77.9) dhe atë të vendeve të eurozonës (-79.0), ka një nivel besimi më të ulët, shkruan gazeta KOHA.
Me një vlerë prej -75.1 për qind konsumatorët në Maqedoni i kanë pritshmërinë për blerjen ose ndërtimin e një shtëpie më të vogla se në pjesën më të madhe të vendeve evropiane. Balanca llogaritet si diferenca midis përqindjes së atyre që mendojnë “po, do blej/ndërtoj” dhe atyre që mendojnë “jo”.
Një vlerë prej 75.1 për qind do të thotë se pjesa dërrmuese e familjeve, treçereku, nuk e shohin të mundshme blerjen ose ndërtimin e një shtëpie në 12 muajt në vijim. Po ashtu nxjerr në pah hendekun midis të ardhurave dhe çmimeve të tregut të banesave, që është thelluar ndjeshëm vitet e fundit. Duke bërë që pronësia të shndërrohet një synim gjithnjë e më i paarritshëm për shtresat e mesme dhe të ulëta. Besimi i konsumatorëve në Maqedoni për blerje banesë në 12 muajt në vijim ndodhet në një pozicion të ngjashëm me Rumaninë, apo Letoninë, por më lart sesa fqinjët pesimistë, si Shqipëria, Bullgaria, apo Serbia (-98.7), ku pesimizmi është edhe më i thellë.
Pesimizmi shpjegohet nga Eurostat me normat e larta të interesit që kanë vijuar të qëndrojnë të pandryshuara gjatë vitit 2025, pas politikave të Bankës Qendrore Evropiane për të frenuar inflacionin, si dhe me pasiguritë e përgjithshme ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt tek vendimet e familjeve për shpenzime të mëdha. Indeksi i balancës është negativ në të gjitha vendet dhe nënkupton se shumica e qytetarëve nuk presin të ndërmarrin një hap të tillë në afat të shkurtër.
Megjithatë, disa vende të tjera të Ballkanit si Mali i Zi (-72.6) dhe Kroacia (-72.5) kanë shfaqur pritshmëri më pozitive. Në të kundërt, vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore si Gjermania (-69.3) dhe Danimarka (-68.3) shfaqin nivele më të larta besimi, duke reflektuar stabilitet ekonomik dhe mundësi më të lehta financimi për qytetarët e tyre. (koha.mk)

