May 5, 2024
Maqedoni

Maqedoni: Shpallje “e vonuar” e krizës energjetike

Ekspertët e energjetikës thonë se autoritetet e Maqedonisë së Veriut reaguan me vonesë sa i përket krizës energjetike, pasi kjo krizë në Evropë u paralajmërua që nga muaji prill.

Këto reagime vijnë pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 9 nëntori shpalli krizën energjetike për një periudhë prej 30 ditësh që mundëson dhënien e mjeteve plotësuese te kompanitë energjetike për të mbuluar humbjet dhe për të rritur likuiditetin e tyre.

Nga buxheti i shtetit do të transferohen 65 milionë euro te kompanitë e energjisë në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që ato të blejnë energji elektrike në tregun evropian, ku çmimet e rrymës janë shumë të larta.

Gjendja e krizës parasheh edhe shkyçjen e të gjitha reklamave ndriçuese. Ndriçimi i rrugëve, shesheve dhe objekteve me karakter publik do të ulet në nivelin minimal, aq sa mos rrezikohet siguria. Po ashtu parashihet ndalimi i përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje plotësuese të objekteve zyrtare dhe atyre afariste.

Autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut janë shprehur të prerë se gjendja e krizës energjetike nuk parashikon masa kufizuese për qytetarët, por nuk garantojnë stabilitet të çmimit të energjisë elektrike.

Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit rregullator për Energjetikë thotë për Radion Evropa e Lirë se deri në vitin e ri nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. Por, shton se nga janari i vitit të ardhshëm gjithçka do të varet nëse qeveria do të vazhdojë të subvencionojë kompanitë energjetike.

“Pasi kompanitë të hapin tenderë do të shihet se çfarë oferta do të marrin, cilat do të jenë çmimet dhe shpenzimet që do kenë. Njëkohësisht do të duhet të shihet nëse shteti do të ndihmojë ose jo kompanitë energjetike edhe gjatë vitit 2022 dhe pastaj do të mund të flasim nëse do të këtë ose jo rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe në çfarë niveli do të jetë ajo rritje”, thotë Bislimovski.

Ndërkohë, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se çdo ditë ballafaqohen me rritjen e çmimeve që ka imponuar kriza energjetike.

“Me krizën energjetike njëkohësisht rriten çmimet e shumë produkteve dhe shërbimeve, ndërkohë që pagat mbeten të njëjta”, thotë Emilija Andrevska.

Ekspertët thonë se nëse nuk stabilizohet çmimi i energjisë elektrike në tregun evropian, Maqedonia e Veriut do të detyrohet të blejë qymyr nga Kosova për të prodhuar energji elektrike për nevojat e brendshme, gjë që do të çonte në rritjen e kostos së prodhimit të rrymës dhe rrjedhimisht edhe shtrenjtimin e energjisë.

Sipas Marija Zaerezankovës, ligjëruese në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup, thotë se kriza me energjinë elektrike bëhet edhe më e komplikuar pasi një pjesë e kompanive energjetike janë privatizuar.

Ajo thotë se kompanitë që janë me interes strategjik për shtetin nuk do të duhej të privatizoheshin.