Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, mbrëmë njoftoi se sot do të marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për shtetasit turq, me procedurë të përshpejtuar.
“Për të ruajtur aktivitetin ekonomik dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe, në periudhën e ardhshme do të nisim bisedime intensive me Republikën e Turqisë për të gjetur modelin më të mirë në interes të përbashkët, në frymën e bashkëpunimit më të mirë dhe të aleancës”, shkroi Spajiq në platformën X.
Mbrëmë u shpall gjendje e jashtëzakonshme në lagjen Zabjelo të Podgoricës, ku policia zhvilloi bastisje pas një ngjarjeje të rëndë – një banor i Podgoricës, M. J., u rrah dhe u godit me thikë. Si reagim ndaj këtij akti dhune, shumë banorë të lagjes, të revoltuar, dolën në rrugë dhe në disa raste brohoritën slogane fyese kundër turqve.
Në vendngjarje ndodheshin forca të shumta policore dhe inspektorë, të cilët kontrolluan disa lokacione në atë pjesë të qytetit.
Sipas raportimit të Televizionit Vijesti, tre shtetas turq u bllokuan brenda një kazinoje, pasi – sipas dëshmitarëve – një grup banorësh kishte tentuar të përplasej fizikisht me ta. Pas daljes nga kazinoja, policia arrestoi dy shtetas turq, dhe sipas informacioneve jozyrtare të televizionit, njëri prej tyre dyshohet për përfshirje në sulmin e mbrëmshëm.
Pas këtyre zhvillimeve, grupi i qytetarëve filloi të shpërndahej.
Ndërkohë, policia e Podgoricës është në kërkim të tre personave të dyshuar që, vonë mbrëmë, në lagjen Zabjelo, plagosën rëndë dhe therën banorin M. J.
