Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti po garon edhe në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, në një përpjekje për të marrë pak pushtet edhe në shtetin fqinj.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ishte mbrëmë në tubimin e disa partive shqiptare atje, që në nivel qendror jasnë në koalicion me VMRO-DPMNE-në e Hristjan Mickoskit.

Durmishi foli në emër të Kurtit dhe të Qeverisë së Kosovës.

“Kam nderin që këtë tubim kaq madhështorë ta përshëndes në emër të kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti”, tha ai.

Këtë tetor, Durmishi tha se “shqiptarët në të dy anët e kufirit marrin pjesë në zgjedhje vendimtare lokale. Në Kosovë votohet më 12 tetor, dhe atje Vetëvendosja është ajo që VLEN. Këtu votohet më 19 tetor, dhe këtu VLEN-i ju. VLEN është forca juaj”.

“Ashtu siç po lidhet Prizreni me Tetovën me rrugë, duhet të lidheni edhe ju me VLEN-in, të bëheni bashkë dhe të fitoni bashkë. Shqiptarët nuk kanë luksin të ndahen, sepse vetëm të bashkuar bëhen faktor. Qeveria e Kosovës, Lëvizja jonë, është me ju: politikisht, kombëtarisht dhe njerëzisht. VLEN nuk është vetëm koalicion, por mundësia që zëri shqiptar të dëgjohet qartë dhe fuqishëm”, tha ai.

Pjesëmarrësve në tubim, Durmishi u çoi “të fala të përzemërta” nga Kurti.

“Dhe për fund: keni të fala të përzemërta nga Kryeministri Albin Kurti, i cili për shkak të vizitës në SHBA nuk pati mundësi të ishte edhe fizikisht këtu me ju”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ishte angazhuar edhe në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, për ta ndihmuar VLEN-in.

Më herët, Kurti e kishte mohuar përkohësisht se po përzihej në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe nga Shkupi kishte thënë se LVV nuk garon e se shqiptarët duhej të vendosnin vetë, por më pas i kishte sjellë në Prishtinë përfaqësuesit e VLEN-it e kishte çuar ministrat në tubimet elektorale në shtetin fqinj.

Që prej ardhjes në pushtet, Kurtin duket se e intrigoi pjesëmarrja në skenën politike shqiptare edhe në shtetet përreth, në disa mënyra. Në Shqipëri i bëri zyrtarisht opozitë kryeministrit Edi Rama duke garuar me partinë e tij në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021 dhe në Luginë gjithashtu intervenoi në disa zgjedhje duke e mbështetur një krah politik.

sqShqip