Gjatë nëntorit, stacionet e Lukoil Macedonia u prekën nga një valë e re sanksionesh amerikane që synonin kompanitë ruse Lukoil dhe Rosneft. Si pjesë e masave, u ndaluan transaksionet me kartat Visa, duke krijuar vështirësi të menjëhershme për konsumatorët shqiptarë dhe maqedonas që paguajnë përditë me to. Sanksionet ishin pjesë e një strategjie të zgjeruar ndërkombëtare për të rritur presionin ndaj Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 28nëntor – Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar një licencë të përkohshme që u mundëson kompanive të vazhdojnë operacionet me Lukoil International GmbH, degën me seli në Austri të gjigantit rus të naftës, e cila zotëron asetet e huaja të grupit, përfshirë ato në Bullgari, raporton Reuters. Licenca është e vlefshme deri më 26 shkurt 2026 dhe lejon kryerjen e pagesave dhe transaksioneve të caktuara, megjithëse fondet që u detyrohen kompanive të grupit Lukoil mbeten të ngrira. Pak ditë më herët, Britania kishte lëshuar një licencë të posaçme që u lejon bizneseve të vazhdojnë të punojnë me dy degë të Lukoil në Bullgari – Lukoil Bulgaria EOOD dhe Lukoil Neftochim Burgas AD. Këto masa janë të vlefshme deri në shkurt 2026.

MAQEDONI: KARTELAT VISA RIKTHEHEN NË LUKOIL

Gjatë nëntorit, stacionet e Lukoil Macedonia u prekën nga një valë e re sanksionesh amerikane që synonin kompanitë ruse Lukoil dhe Rosneft. Si pjesë e masave, u ndaluan transaksionet me kartat Visa, duke krijuar vështirësi të menjëhershme për konsumatorët shqiptarë dhe maqedonas që paguajnë përditë me to. Sanksionet ishin pjesë e një strategjie të zgjeruar ndërkombëtare për të rritur presionin ndaj Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë. Pas disa ditësh ndërprerje, kompania njoftoi se nga data 26 nëntor 2025, shërbimi me kartat Visa është rikthyer plotësisht në të gjitha pikat e shitjes.

Ndërkohë, Departamenti i Thesarit të SHBA-së njoftoi se ka lëshuar një licencë që hap rrugën për negociata lidhur me shitjen e mundshme të aseteve të huaja të Lukoil. Këto licenca janë të vlefshme deri më 29 prill 2026 dhe lejojnë kompanitë që të negociojnë për blerjen e aseteve të Lukoil jashtë Rusisë.

Më 19 nëntor, autoritetet amerikane publikuan një licencë të posaçme që lejon “transaksione të caktuara” gjatë negociatave për shitjen e aseteve. Në rast të finalizimit të ndonjë marrëveshjeje, kërkohet licencë e veçantë. Sipas Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), çdo shitje e propozuar do të vlerësohet nga SHBA bazuar në faktorë që lidhen me sigurinë kombëtare dhe objektivat e politikës së jashtme. Ndër ta janë shkëputja e plotë e lidhjes me Lukoil, bllokimi i fondeve derisa të hiqen sanksionet, dhe shmangia e çdo të ardhure që mund t’i kalojë Lukoilit apo Gazprom Neft.

PRANIA E LUKOILIT NË RAJON

Lukoil është i pranishëm në shumë vende evropiane dhe në Ballkan. Në Bullgari, Rumani dhe Kroaci operon me rafineri dhe rrjete të gjera karburantesh, ndërsa në Ballkanin Perëndimor vepron në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi. Në Maqedoni, kompania ka 40 stacione karburanti dhe punëson rreth 550 persona. Sipas raportit të Komisionit Rregullator të Energjisë për vitin 2024: Lukoil importon 8% të derivateve të naftës në vend, mban 11% të tregut të derivateve, dhe realizon mbi 15% të shitjeve me pakicë.

Derivatet importohen kryesisht nga rafineria e Burgasit në Bullgari – më e madhja në Ballkan – e cila është po ashtu e prekur nga sanksionet. Situata është veçanërisht e ndjeshme në Bullgari dhe Rumani, ku rafineritë e Lukoilit mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut: Burgasi mbulon rreth 80% të nevojave të Bullgarisë, Petrotel-Lukoil në Ploeshti furnizon 25% të karburantit të Rumanisë. Në Serbi, ku Lukoil është prezent që nga viti 2003, kompania mban një pjesë të tregut pak mbi 7%.

BULLGARIA PËRGATITET PËR SKENARIN E BLERJES SË ASETEVE TË LUKOIL

Sipas burimeve jozyrtare në Sofje, koalicioni qeverisës bullgar (GERB, DPS-Fillimi i Ri, BSP dhe ITN) po shqyrton mundësinë që shteti të marrë pjesë në blerjen e aseteve të Lukoilit në Bullgari. Në këtë drejtim, përfaqësuesit e katër partive kanë propozuar ndryshime në Ligjin e Buxhetit të Shtetit 2026, duke lejuar Bankën Bullgare të Zhvillimit (BDB) që të blejë aksione në kompani ruse, nëse është e nevojshme. Janë propozuar 2 miliardë euro garanci shtetërore, që Qeveria mund t’i aktivizojë për blerjen e aseteve strategjike të Lukoilit.

Kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov ka paralajmëruar se në prill 2026 do të kërkohet një derogim i ri, me qëllim minimizimin e rrezikut të arbitrazhit dhe sigurimin e stabilitetit në sektorin energjetik. Ndërkohë, tregtari zviceran Gunvor ka tërhequr ofertën për blerjen e aseteve të Lukoilit, pasi autoritetet amerikane e vlerësuan si “kukull ruse” dhe kundërshtuan marrëveshjen, bën të ditur Reuters. Në një situatë ku sanksionet, licencat e përkohshme dhe negociatat ndërkombëtare ndryshojnë me ritëm të shpejtë, e ardhmja e Lukoilit në Ballkan mbetet e pasigurt, ndërsa vendet e rajonit po përgatiten për skenarë të mundshëm ekonomikë dhe energjetikë.(koha.mk)

sqShqip