May 18, 2024
Maqedoni

“Luftë” mes Grubit dhe Besimit, cili do të jetë kryeministri i parë shqiptar?

Pasi arriti të eliminojë “Grupin e Zjarrit” të udhëhequr nga Musa Xhaferi, Artan Grubi njeriu më i fuqishëm i BDI-së për momentin pas kryetarit Ali Ahmeti, po rivalizon ministrin e financave Fatmir Besimi.
Burime qeevritare thonë se së fundmi edhe Besimi është futur në kombinim për kryeministër të parë shqiptar, pasi që deri tani ky post konsiderohej “i prenotuar” për zëvendës kryeministrin Artan Grubi.
Për dallim prej Grubit, i cili gëzon përkrahje më të madhe nga Ahmeti, Besimi gëzon përkrahje pak më të madhe nga faktori ndërkombëtar. Poashtu konsiderohet si kompromis i pranueshëm për kundërshtarët e Grubit në BDI, por edhe figurë më e pranueshme për LSDM-në dhe opinionin maqedonas. “Kryeministri i parë shqiptar” do të ketë mandat vetëm 100 ditë dhe do të jetë më shumë figurë protokollare, se sa me mandat esencial, sepse postin do ta ushtrojë në periudhë parazgjedhore, kur shumë aktivitete janë të limituara. Mirëpo në LSDM ekziston frikë se tek një pjesë e madhe e opinionit maqedonas, kryeministri i parë shqiptar qoftë edhe simbolik, do të kuptohet si edhe një lëshim i tyre ndaj shqiptarëve në dëm të maqedonasve.
“Për këtë arsye LSDM preferon një politikan si Besimi, se sa si Artan Grubi, për shkak se ai në të kaluarën ka pasur veprime dhe deklarata provokiative”, thonë këto burime qeveritare që kërkojnë të mbeten anonime, duke shtuar se megjithatë punën LSDM-së në “këtë temë” mjaft ia ka lehtësuar edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së me propozimin e tij që kryetari i Alternativës, Afrim Gashi të jetë kryeministri i parë shqiptar.
BDI është në gatishmëri të vazhdueshme për të propozuar “kryeministrin e parë shqiptar”, pasi jetëgjatësia e qeverisë aktuale nuk është shumë e garantuar, kurse zgjedhjet parlamentare mund të mbahen deri në fund të vitit, sado që Qeevria ka qëndrim zyrtar se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2024.

“Në paraqitjet e tyre publike, Besimi dhe Grubi pritet t’i demantojnë këto informata, mirëpo në prapaskenë “lufta” mes tyre do të vazhdojë deri në zgjedhjen e kryeministrit shqiptar. Kush e din, ndonjëherë kur luftojnë dy mes vete, fiton i treti”, thonë burime të larta partiake.