April 29, 2024
Rajon - Botë

Lufta në Izrael mund të sjell një krizë të re energjetike!

Kriza energjetike, e cila u thellua nga konflikti ruso-ukrainas, tani po intensifikohet për shkak të konfliktit të ri në Rripin e Gazë. Bota ka frikë se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit mund të zgjerohet dhe të marrë përmasa më të mëdha, shkruan Alsat.

Kjo krizë u reflektua fillimisht në tregun e “arit të zi”. Kur në bursat botërore rritet çmimi i derivateve, autoritetet tona kanë reagime rekorde për t’i rritur çmimet në tregun vendor, kurse kur në bursë nafta, benzina, mazuti e gazi shënojnë rënie, Komisionit Rregullator të Energjetikës i duhet pak më shumë kohë për të dalë me vendim të ri për ulje çmimesh.

Nga kriza e vitit kaluar mësuam që e nafta rriti koston e lëvizjes së njerëzve dhe transportit të mallrave. Në fillim të javës, çmimet e naftës, pas “kërcimit” të javës së kaluar, në tregjet ndërkombëtare ishin rreth 91 dollarë për fuçi.

Në pritje të ngjarjeve në Izrael, të gjithë pjesëmarrësit në tregun e naftës si blerësit ashtu edhe shitësit, po përpiqen të vlerësojnë nëse do të ketë një thellim dhe zgjerim të mëtejshëm të luftës, përkatësisht nëse do të ketë një ndërprerje të furnizimit me naftë nga Lindja e Mesme. Irani veçmë kërkoi embargo të naftës për Izraelin.

“Eksporti i naftës për Izraelin dhe çdo projekt që ekziston midis çdo shteti islamik dhe Izraelit duhet të ndalet menjëherë”, tha Hosein Amirabdollahian, Ministër i Jashtëm iranian.

Kriza e re në nivel botëror, sipas ekspertëve padyshim se do të reflektohet edhe në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë duke qenë se termocentralet tona përveç thëngjillit përdorin edhe mazutin si lëndë djegëse, një rrezik shtesë mund të jetë edhe rritja e energjisë elektrike nga janari vitit 2023.

Kjo kanosje e vazhdueshme rajonit, e posaçërisht ekonomisë së brishtë të Maqedonisë së Veriut do t’i zgjasë deri në transformimin e plotë të termocentraleve nga thëngjilli në gaz natyrorë. Resurset hidrocentraleve dhe energjisë së rinovueshme nga panele diellore dhe rrymës me erë janë alternativat që shteti po i fuqizon për të zbutur krizën e importuar globale në tregun e varfëruar vendor.