Kompania BS Klining import-eksport SHPKNL Shkup, e themeluar më 10 korrik 2024, ka fituar një tender në vlerë prej 1.2 milionë eurosh nga Posta e Maqedonisë së Veriut, deklaroi Renata Mladenovska, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
– Kontrata e lidhur është për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës. Bëhet fjalë për një kompani pa punëtorë, pa kontrata të mëparshme të realizuara dhe pa përvojë. Në momentin e aplikimit, kjo kompani nuk i ka plotësuar kushtet bazë të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit. Nuk kishte minimum tre kontrata të mëparshme për mirëmbajtje higjienike, nuk kishte të paktën 50 të punësuar, nuk kishte realizuar të ardhura vjetore prej së paku 100.000 eurosh në tre vitet e fundit. Madje nuk kishte as pajisje teknike – tha Mladenovska.
Pavarësisht këtyre mangësive, shtoi ajo, kompania gjithsesi është përzgjedhur.
– Kjo u bë përmes paraqitjes së nënkontraktorit “Serta” në ofertën e përbashkët, një kompani me përvojë shumëvjeçare në fushën e higjienës. E dyshimtë? Vetëm rreth njëzet ditë pasi kompania fiton tenderin milionësh nga Posta, më 24 nëntor 2025, pronar i ri bëhet Sasho Petrovski. Sikur kompania të ishte themeluar ekskluzivisht për të fituar tenderin. Pronari ndryshohet menjëherë pas përzgjedhjes në tender. Ndërkohë, një Sasho Petrovski është këshilltar i ZNAM-it në Komunën e Kisella Vodës. A është i njëjti person siç mendoni? Kompani e lidhur me ZNAM – tha Mladenovska.

