May 19, 2024
Maqedoni

LSDM po zgjedh kandidatin presidencial mes Pendarovskit, Spasovskit dhe Zeçeviqit

LSDM-ja njofton se deri në fund të muajit do të përfundojë procedurat për zgjedhjen e kandidatit për president, kurse jozyrtarisht flitet se partia mat rejtingun mes presidentit aktual Stevo Pendarovski, ish ministrit Oliver Spasovski dhe sekretarit të partisë Mile Zeqeviq. Kandidati i tyre pritet të jetë konsensual dhe të marrë edhe mbështetjen e partive tjera të pushtetit.

VMRO-DPMNE-ja do të vërtetojë emrin e kandidatit të saj në Konventën e partisë më 2 mars. Thirrja publike për kandidatë është e hapur por partia ka fokusuar matjet e saja në tre. Emrat më të përfolur në media janë ai i deputetes Gordana Siljanovska Davkova dhe i profesorit Aleksandar Spasenovski.

Opozita shqiptare nga ana tjetër mban të hapur opsionin që kreu i ASH-së Arben Taravari të jetë kandidati i mundshëm i tyre.

Deri tani, kandidatin e ka promovuar vetëm “E majta”, profesoren Biljana Vankovska.

KSHZ-ja pas shpalljes së zgjedhjeve, ditën e nesërme, duhet të konfirmojë afatet zyrtare ligjore që do t’i paraprijnë përgatitjes për zgjedhje.

“Lista e kandidatëve (për president, deputetë dhe këshilltarë) dorëzohet në komisionin zgjedhor kompetent e shumta 35 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.” – Kodi zgjedhor.

Sipas përllogaritjeve fillestare, 20 marsi do të jetë afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave për president. Kurse, sa i takon afateve për listat e kandidatëve për deputetë, afati i fundit jozyrtarisht do të jetë 3 prilli.

Ashtu siç afrohen zgjedhjet, institucioni për organizimin e zgjedhjeve vijon përgatitjet zgjedhore, ndërkohë që funksionon me një anëtar më pak, për shkak se opozitës shqiptare nuk i miratohet nga komisioni parlamentar, kandidati i përzgjedhur i tyre. Në vend të shtatë, KSHZ-ja për momentin ka vetëm gjashtë anëtarë.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale është më 24 prill kurse rrethi i dytë dhe zgjedhjet parlamentare janë më 8 maj.