Ulja e njoftuar e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për karburantet nga 18 në 10 përqind është një masë e vonuar dhe e pjesshme, vlerësoi LSDM, e cila thotë se Qeveria reagoi vetëm pasi çmimet e larta kishin goditur tashmë standardin e jetesës së qytetarëve.

Nga partia thonë se që në fillim të krizës kishin kërkuar që TVSH-ja për karburantet të ulet në pesë përqind, akciza të hiqet menjëherë dhe tatimi për produktet ushqimore bazë të zbresë në zero.

“Qeveria nuk ndërmori asgjë. I la çmimet të rriten, ndërsa qytetarët të mbushin karburant me këste dhe të blejnë gjithnjë e më pak. Tani, kur dëmi është bërë, del me një masë të pjesshme dhe kërkon duartrokitje”, njoftuan nga LSDM.

Sipas partisë, ulja e TVSH-së nga 18 në 10 përqind nuk paraqet mbrojtje në kohë të standardit të jetesës, por konfirmim se Qeveria vonohet me masat.

" "

“Kjo nuk është kujdes, por makeup i vonuar. Fillimisht qytetarët paguajnë çmime të larta, pastaj Qeveria u kthen një pjesë të vogël dhe paraqitet si shpëtimtare”, theksojnë nga LSDM.

Partia opozitare iu referua edhe deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se çmimi i karburanteve “në thelb nuk është i ulët”, por është më i ulët në krahasim me vendet fqinje.

“Nuk mjafton t’i bindësh qytetarët se në një shtet tjetër paguhet më shumë. Karburanti nuk është luks. Ai është transporti për në punë, dërgimi i bukës në dyqan dhe i mallrave në treg. Kur shtrenjtohet nafta, shtrenjtohet gjithçka”, thonë nga LSDM.

Partia kritikon edhe vlerësimin se ulja e tatimit do të ketë pasoja mbi buxhetin e shtetit, duke akuzuar Qeverinë se fondet i ka drejtuar drejt shpenzimeve joproduktive dhe marrëveshjeve të dyshimta, në vend të masave për ndihmë ndaj qytetarëve.

“Ulja nga 18 në 10 përqind, pas muajsh pa reagim, nuk është politikë. Ajo është njohje se Qeveria vonohet. Nuk ka jetë më të lirë me vendim të vonuar”, mesazhuan nga LSDM.

sqShqip