Shkup, 20 shkurt – Luks i funksionarëve të VMRO-DPMNE-së vazhdon ta tronditë opinionin, reagojnë nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, pasi bashkëshortja e kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, është paraqitur në një promovim partiak me çantë të markës “Hermès”, vlera e së cilës, sipas të dhënave publike, sillet nga 28.000 deri në 33.000 dollarë.
Bëhet fjalë për modelin “Hermès Mini Kelly 2” (20 cm), një nga aksesorët më ekskluzivë në botë, i prodhuar në seri të kufizuara dhe me çmim të lartë në treg. Nga LSDM theksojnë se demonstrimi i tillë i luksit është fyes për qytetarët që përballen çdo ditë me presione ekonomike, rritje çmimesh dhe stagnim të pagave.
Derisa punëtorët protestojnë për paga dinjitoze, derisa transporti publik në Shkup është në kolaps dhe qyteti po mbytet në mbeturina, funksionarët e VMRO-DPMNE-së parakalojnë me çanta prej 30.000 dollarësh. Kjo është pamja e ‘patriotizmit’ të tyre – luks për vete, krizë për popullin”, thuhet në reagim.
Partia opozitare pyet nga buron ky luks dhe nëse publiku ka të drejtë të marrë sqarim, sidomos në kontekstin e, siç thonë, një sërë dyshimesh për tenderë të lidhur me kompani të afërta me pushtetin.
“Qytetarët meritojnë llogaridhënie, jo arrogancë. Në vend që të investohet në transport më të mirë publik, mjedis më të pastër dhe paga më të larta, shohim demonstrim force përmes orëve prej dhjetëra mijëra eurosh dhe çantave prej dhjetëra mijëra dollarësh”, shtojnë nga LSDM.
Nga kjo parti paralajmërojnë se do të vazhdojnë të ngrenë çështje që lidhen me transparencën dhe shpenzimin e mjeteve publike, duke theksuar se “luksin mbi kurrizin e popullit nuk do ta lejojnë të kalojë në heshtje”.

