LSDM dhe koalicioni për ardhmëri evropiane promovoi programin e ri dhe kandidatët për deputetë
Ardhmëria evropiane dhe rruga deri në fitore fillon këtu edhe atë me hapin e parë që është besimi në qëllimin, porositi lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në promovimin e sotëm të programit të ri “Programë për ardhmëri evropiane”. Përpos programit sot u promovuan edhe kandidatët për deputetë të LSDM-së dhe koalicionit për ardhmëri evropiane për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, transmeton Portalb.mk.
Kovaçevski tha se, plani i qartë konkret dhe i qëndrueshëm për ardhmëri evropiane është paraqitur në programin e tyre zgjedhor.
“Ai program vëllimor është i detajuar, konkret dhe përmban një numër të madh të masave në të gjitha fushat dhe për të gjithë qytetarët. Ky program është për të gjithë, për të rinjtë, pensionistët, bujqit, bizneset, punëtorët, personat me nevoja të veçanta, gratë, burrat, shqiptarët, maqedonasit, turqit, romët, boshnjakët, vllehët, tekstualisht për të gjtihë që jetojnë në këtë shtet. Ne dëshmuam se është e mundur të ketë rezultate të mira, të punohet me këmbëngulje për një të nesërme më të mirë”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, mundësitë për zhvillim ekonomik dhe për standard më të mirë jetësor do të rriten edhe më shumë me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
“Për këtë është e rëndësishme që të vazhdohet rruga evropiane, e cila na çon në tregun e vetëm evropian prej gjysmë miliardë njerëz, me çka për kompanitë tona do të hapen mundësi të mëdha”, tha ai.
Lideri i LSDM-së në fjalimin e tij, dha garanca se, deri në vitin 2028 pensioni minimal në vend do të jetë 20 mijë denarë, ndërsa pensioni mesatar 30 mijë denarë. Përpos kësaj, ai premtoi se, do të ketë mbështetje për vit të ri prej gjashtë mijë denarë për çdo pensionisht. Me anëtarësimin në BE, shtoi ai, paga mesatare do të jetë 1,300 euro, ndërsa ajo minimale 800 euro.
Marrëveshjen e koalicionit me LSDM-në të mërkurën e nënshkruan LSDM, PSD, PLD, Partia për Lëvizjen e Turqve, Partia e Pensionistëve, DOM, VMRO partia popullore, Lidhja Demokratike e vllehëve në Maqedoni, POEN, Lidhja e Romëve në Maqedoni, E Djathta, Partia për Prosperitet Demokratik e Romëve, SDA, ndërsa drejt marrëveshjes së koalicionit është kyçur edhe Lëvizja Republika e Re.