April 28, 2024
Maqedoni

Lloga-Dameva: Do të intensifikohet bashkëpunimi institucional

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga sot ka zhvilluar një takim me kryetaren Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, ku kanë biseduar për zhvillimet aktuale në të dy institucionet, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga atje thonë se vendimi i Gjykatës Administrative me të cilin Dameva u rikthye në krye të Këshillit ngjall shpresë për kthimin e besimit tek institucionet, si dhe domosdoshmërinë e punës ligjore dhe të përgjegjshme.

Ministri Lloga përshëndeti vendimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor për ndërprerjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së kryetares së Gjykatës së Lartë, Besa Ademi.

“U mirëpritën veprimet e dy ish-anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, gjyqtares së Lartë, Mirjana Radevska Stefkova dhe gjyqtarit të apelit Zoran Gerasimovski, të cilët dhanë dorëheqje për shkak të vendimit për shkarkimin e paligjshëm të Damevës nga kryesia.

Dameva e falënderoi ministrin Lloga për të gjitha aktivitetet që ka ndërmarrë në periudhën e kaluar dhe indikacionet e tij për punën dhe veprimet e Këshillit Gjyqësor, të cilat dëshmuan se ky institucion ka nevojë për reforma”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Në takim, theksojnë nga atje, u diskutua për Strategjinë për Zhvillimin e Sistemit të Drejtësisë (2024-2028) dhe masat e parashikuara nga ajo për reformat në zgjedhjen, përgjegjësinë dhe shkarkimin e presidentit dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Strategjia është në përputhje të plotë me rekomandimet e Misionit vlerësues, për të cilat kryetarja e këshillit, Dameva, shprehu gatishmërinë për t’i zbatuar ato.

“Ministri Lloga informoi se gjatë javës së ardhshme Grupi Punues do të përgatisë draft versionin e ndryshimeve ligjore për Këshillin Gjyqësor. Këshillit Gjyqësor iu kërkua të shqyrtojë të gjitha rastet dhe korrespondencën e Ministrisë së Drejtësisë që i janë dërguar në një kohë sa më të shkurtër”, thonë nga atje.

Nga atje shtojnë se bashkëpunimi institucional i Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor do të intensifikohet në periudhën e ardhshme përmes bashkëpunimeve dhe projekteve të ndërsjella për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.