May 5, 2024
Maqedoni

Lloga-Aggeler: SHBA janë mbështetës të fuqishëm të rrugës sonë evropiane dhe reformave në gjyqësor

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, realizoi takim me Ambasadoren e SHBA-ve në vendin tonë, Shkëlqesinë e Saj, Angela P. Aggeler, në të cilin u bisedua për bashkëpunimin me SHBA si partner strategjik në fushat që lidhen me reformat në gjyqësor, agjendën legjislative dhe luftën kundër korrupsionit.

Ministri Lloga tha se digjitalizimi në gjyqësor është një proces kyç për fuqizimin e kapaciteteve, përgjegjësisë dhe profesionalizmin e gjykatësve dhe prokurorëve publikë.

Ministri Lloga e informoi Ambasadoren Aggeler për procesin e formimit të grupit punues për ndryshimet kushtetuese dhe pritshmëritë që opozita përmes përfaqësuesve të tyre të kontribuojë në procesin i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për eurointegrimet.

Lidhur me vetingun, Ministri Lloga theksoi se ky mund të realizohet vetëm me mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së. Ambasadorja Aggeler ishte gjithashtu e njoftuar me gjendjen në burgjet dhe me rastet e montuara gjyqësore.

Në takim u theksua Strategjia e re për reforma në sektorin e gjyqësorit 2023-2027, e cila është e përqëndruar në përmirësimin e kushteve dhe fuqizimin e kapaciteteve me çka do të sigurohen kushte për zbatim të pandërprerë dhe në mënyrë stabile të reformave të planifikuara.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe Ambasadorja Aggeler u pajtuan që të intensifikohet bashkëpunimi mes vendeve në drejtim të sigurimit të stabilitetit dhe kushteve për zbatimin e reformave.