May 17, 2024
Kosovë

LIVE| Vazhdojnë protestat në veri, NATO sjell forca shtesë, protestuesve u sjellin ushqim nga Serbia (Video)

15:33 – Millosavleviq: Nesër protesta do të jetë edhe më masive

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zveçanit Sërgjan Millosavleviq, ka paralajmëruar se nesër protesta do të jetë edhe më masive.

Millosavleviq para gazetarëve iu bëri thirrje serbëve që të jenë të qetë.

“Nuk duhet të lejojmë që fati ynë të varet nga interesa të individëve. Ka kush të mendojë për të gjitha ato, ne shpresojmë që do të jemi si gjithmonë të denjë dhe të tregojmë dhe jemi të drejtë dhe dëshirojmë të jetojmë këtu”, tha ai.

Ai theksoi se serbët duhet të jenë të bashkuar.

“Të jemi të qetë, të bashkuar dhe në një këtë mënyrë ta tregojmë pakënaqësinë tonë me vendimet për uzurpimin e territorit tonë dhe e vënë në pikëpyetje mbijetesën tonë”, tha ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zveçanit.

Ish-kryesuesi i Kuvendit të Zveçanit shtoi se ata do të protestojnë deri në lirimin dy të arrestuarve Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan pas përleshjes me KFOR-in.

Sërgjan Millosavleviq, theksoi se do të protestojnë po ashtu edhe deri në largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës./ Klankosova.tv

______________________________________________________________________________________________________

14:58 – NATO dislokon forca shtesë në Kosovë

Aleanca veriatlantike, NATO, ka dislokuar forca shtesë në misionin e saj të KFOR-it në Kosovë.

Kjo siç thuhet në një njoftim të tyre, për shkak të situatës së krijuar, trazirave të fundit, ku mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të kësaj force paqeruajtëse, transmeton klankosova.tv.

”Në përgjigje të trazirave të fundit dhe lëndimit të 30 anëtarëve të Forcës së saj në Kosovë, NATO ka drejtuar vendosjen e Forcave Rezervë Operacionale (ORF) për Ballkanin Perëndimor, e cila ishte në një status shtatëditor të gatishmërisë”.

Tutje specifikohet në detaje se statusi i tyre i gatishmërisë është reduktuar për shkak të situatës së tensionuar.

”Një batalion shtesë shumëkombësh i forcave rezervë është urdhëruar të ulë statusin e gatishmërisë, për t’u vendosur nga katërmbëdhjetë ditë, në shtatë ditë, në mënyrë që të jenë të gatshëm të përforcojnë KFOR-in nëse është e nevojshme”.

”Shpërndarja e forcave shtesë të NATO-s në Kosovë është një masë e kujdesshme për të siguruar që KFOR-i ka aftësitë që i nevojiten për të ruajtur sigurinë në përputhje me mandatin tonë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha admirali, Stuart B. Munsch, transmeton klankosova.tv.

”Dëshiroj të përgëzoj KFOR-in që ka ndërmarrë veprime të shpejta, të përmbajtura dhe profesionale për të ndërhyrë për të ndalur trazirat dhe për të shpëtuar jetë. Dhuna duhet të ndalet dhe të gjitha palët duhet të ndalojnë së ndërmarrë veprime për të minuar paqen në çdo dhe të gjitha komunitetet e Kosovës”, tha mes tjerash admirali, Munsch.

14:55 – Tahiri: Borrell dhe Lajçak të japin dorëheqje menjëherë

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi Edita Tahiri, ka reaguar sërish pas zhvillimeve në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ajo tha se kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe emisari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duhet të jap dorëheqje.

Sipas saj, në vend se ata të krijonin marrëdhënie paqësore fqinjësore, përfunduan duke sjellë dhunën e kriminelëve të Vuçiqit kundër paqeruajtësve të NATO-s.

________________________________________________________________________________________________

14:15 – Nuk dihet nëse Kurti do të marrë pjesë në takimin e Bratisllavës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk dihet nëse do të shkojë në Forumin Global të Sigurisë GLOBSEK 2023.

Ai e ka shtyrë vizitën e tij për shkak të zhvillimeve në vend.

Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu.

“Ka qenë e planifikuar që të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, tha ai.

Gjatë së hënës situata ishte tejet e tensionuar në tri komunat veriore, në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Një numër i protestuesve serbë ishin ofruar tek objektet komunale për të penguar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në zyrat e tyre.

30 ushtarë të KFOR-it u lënduan gjatë përleshjes me protestuesit, tre nga ta me armë zjarri.

Pesë serbë u prangosën nga policia, derisa tre nga ta më pas u liruan në procedurë të rregullt.

U raportua se emisari special i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, po përgatit një takim tjetër në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

_________________________________________________________________________________________________

15:12 – Sekretarja e OSBE-së dënon dhunën e djeshme në veri

Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid, ka dënuar dhunën e djeshme që ndodhi në veri të Kosovës.

“Dënoj fuqishëm aktet e dhunës që kanë ndodhur në veri të Kosovës. I uroj shërim të plotë të lënduarve, si ushtarëve të KFOR-it ashtu edhe civilëve”.

“Është thelbësore t’i jepet përparësi dialogut dhe të kërkohen zgjidhje paqësore për të gjithë rajonin”, ka shkruar ajo në Twitter, transmeton Klankosova.tv.

13:22 – Lajçak dhe Kovaçevski bëjnë thirrje për kthimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kanë bërë thirrje sot nga Bratislava për një deeskalim urgjent të situatës në Kosovë dhe për kthimin e paqes dhe stabilitetit.

Sipas një njoftimi të qeverisë maqedonase, Kovaçevski dhe Lajçak u takuan në Bratislavë në margjinat e Forumit Global të Sigurisë GLOBSEK 2023.

Kovaçevski, përsëriti se Maqedonia e Veriut mbështet bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm me NATO-n dhe BE-në në rajon në drejtim të konsolidimit të stabilitetit dhe përshpejtimit të integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor, njofton Klankosova.tv.

Në takimin me Lajçakun, Kovaçevski theksoi përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në përmirësimin e rajonit, si dhe paqen dhe stabilitetin e tij.

Maqedonia e Veriut, siç tha Kovaçevski, është e vendosur të forcojë dhe përmirësojë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të vendoset përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve si një vend që është faktor stabiliteti në rajon.

Në takim, Kovaçevski theksoi se anëtarësimi i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të parandalojë pikat e ndjeshme të rajonit që të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin, duke penguar kështu edhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

13:16 – Borrell: Po punoj që së shpejti të ketë një takim dialogu të nivelit të lartë

Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ka biseduar përsëri sot në mëngjes me kryeministrin Albin Kurti për situatën e tensionuar në veri.

Ai madje ka bërë të ditur se është angazhuar që të organizojë sa më shpejtë të jetë e mundur një takim dialogu të nivelit të lartë, transmeton klankosova.tv.

”Po punoj që të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”.

”Shpresoj se zëri im do dëgjohet”, tha mes tjerash Borrell.

13:10 – Borrell kërkon që Kosova t’i pezullojë operacionet e policisë në veri

Shefi për Politikë të Jashtme, i BE-së, Josep Borrell, ka kërkuar sot që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet e policisë në veri.

Tutje në adresimin e tij, Borrell u shpreh sërish se BE e dënon fuqishëm dhunën që u pa ditëve të fundit në veri të Kosovës, transmeton klankosova.tv.

”Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme”, tha ai.

13:22 – Zëdhënësi i BE-së: Dialogu nuk ka vdekur, palët të punojnë për shtensionim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Përfaqësuesi për Politike të Jashtme, Josep Borrell është duke u angazhuar që tensionet në veri të Kosovës të ulen.

Sipas Stanos për situatën e krijuar përgjegjëse janë të dyja palët – Kosova dhe Serbia.

Ai ka theksuar se do të provohet që zgjidhja të gjendet në procesin e dialogut në Bruksel, njofton KlanKosova.tv.

“Dialogu nuk ka vdekur. Do të bëjmë gjithçka që zgjidhja të bëhet përmes kornizës së dialogut. Nuk thashë që dhuna vjen nga të dyja palët por thirrja nga Borrell është që të dyja palët të kontribuojnë në shtensionim të situatës”, ka thënë Stano.

“Dialogu është aktiv si asnjëherë. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësi për të dalë nga kjo situatë”, ka shtuar ai ndër te tjera.

Stano ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e një gazetari se kush është përgjegjës për dhunën e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan.

13:00 – Protestuesve në Zubin Potok iu sjellin ushqim, thuhet se erdhën nga Serbia (VIDEO)

Gjendja në Zubin Potok paraqitet e qetë deri në këto momente.

Gazetarja e Klan Kosovës Arbëresha Fazliu, po e përcjell nga afër situatën e cila po mbretëron atje.

Aktualisht protestuesit janë furnizuar me ushqim.

Thuhet se ushqimi erdhi nga Serbia.

______________________________________________________________________________________________________

12:30 – Simiq dhe Todiq negociojnë me KFOR-in (VIDEO)

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe Slavko Simiq dhe ish-kryetari i Leposaviqit Zoran Todiq, e kanë kaluar kordonin e sigurisë të vendosur nga KFOR-i.

Ata kanë shkuar për të negociuar me KFOR-in.

Derisa nuk dihet se çka kanë biseduar dhe cilat ishin kërkesat e tyre.

Ekipi i Klan Kosovës po qëndron aty për ta përcjell nga afër situatën në Leposaviq.

Siç raporton gazetari Flamur Gajtani, gjendje atje është më e “reklasuar” se dje./Klankosova.tv

11:50 – MPB mohon se ka marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale

Sot në mëngjes nga disa media u raportua se ka një marrëveshje në mes të Listës Serbe dhe KFOR-it për të tërhequr njësinë speciale të Policisë së Kosovës nga objekti komunal i Zveçanit.

Të paktën kështu pretendoi Dragan Nedeljkoviq, gjatë një prononcimi për media.

Ai po ashtu theksoi se ka pasur negociata me KFOR-in edhe për lirimin e të arrestuarve serbë.

Por, kjo u mohua nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Zëdhënësja e kësaj ministrie Nora Fetoshi, tha për Klankosova.tv se nuk ka marrëveshje as për lirimin e të burgosurve.

“Lajmi për arritjen e marrëveshjes mes KFOR-it dhe protestuesve, nuk është i vërtet. Nuk ka asnjë marrëveshje as për tërheqjen e trupave dhe as për lirimin e të burgosurve”, tha Fetoshi për Klankosova.tv

Lidhur me këtë Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me KFOR-in dhe është në pritje të një përgjigje.

Pesë protestues serbë janë arrestuar gjatë ditës së djeshme për shkak të dhunës së përdorur ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Tre nga ta janë liruar në procedurë të rregullt.

_____________________________________________________________________________________________________

11:29 – EULEX: Urgjentisht të rivendoset qetësia në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në veri

Misioni i EULEX në Kosovë ka dhënë se se situata e djeshme në veri të vendit është shqetësuese dhe e papranueshme.

Për Klankosova.tv, ky mision ka deklaruar se duhet të ketë ambient të sigurt për të gjithë.

“Përshkallëzimi i fundit i dhunës në veri të Kosovës është shqetësues dhe i papranueshëm. Situata e sigurisë atje mbetet e tensionuar dhe kjo është një shqetësim i madh. Jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, gazetarëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it. Prioritet duhet të jetë siguria në terren dhe ruajtja e paqes”, ka deklaruar EULEX.

EULEX për Klankosova.tv ka bërë thirrje që të menaxhohet situata dhe të ulen tensionet.

“Ne dëshirojmë t’u bëjmë thirrje të gjithëve që të veprojnë në mënyrë të matur, të shmangin dhunën dhe të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar këtë situatë të tensionuar. Duhet urgjentisht të rivendoset qetësia në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në veri të Kosovës”.

Pos kësaj, ky mision e ka dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, dhe ka shtuar se asnjë pjesëtarë i EULEX nuk është lënduar dje.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, të cilat rezultuan me lëndimin e disa pjesëtarëve të KFOR-it. Të gjithë të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, deklaroi EULEX për Klankosova.tv.

10:45 – Policia thotë se situata në veri momentalisht është e qetë

Policia e Kosovës ka njoftuar se situata në veri të vendit momentalisht është e qetë, edhe pse zhvillimet e djeshme kanë bërë që të ketë brishtësi të saj.

“Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë. Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, njësitet policore janë duke vazhduar angazhimin në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon dhe po i koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante.

“Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.

10:33 – Kovaçevski për zhvillimet në veri: Stabiliteti mund të arrihet përmes dialogut, dhuna s’është opsion

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se dhuna nuk është asnjëherë opsion i mirë dhe se stabiliteti dhe përparimi në rajon mund të arrihet vetëm me dialog të hapur.

Në një reagim në Twitter rreth zhvillimeve të djeshme në veri, ai bëri thirrje për një deeskalim të shpejtë të situatës dhe kthimin e paqes dhe stabilitetit.

“Jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi shqetësues të ngjarjeve, përveç një numri të madh të të lënduarve. Dhuna nuk është kurrë një opsion i mirë dhe është për t’u dënuar, veçanërisht pasi ushtarët e KFOR-it janë jashtëzakonisht të përkushtuar në misionin e ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

“Bëj thirrje për ndërprerje të menjëhershme të dhunës, për një deeskalim të shpejtë të situatës dhe kthimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Stabiliteti dhe përparimi në rajon mund të arrihen vetëm përmes dialogut të hapur”.

“Nevojitet komunikim paqësor dhe i hapur, i cili do të mundësojë zbatimin e përshpejtuar të Marrëveshjes për normalizim, me të gjitha anekset dhe detyrimet e marra reciprokisht”, tha shefi i ekzekutivit maqedonas, transmeton Klankosova.tv.

10:30 – Deputetja britanike: Bandat serbe në veri po paguhen dhe armatosen nga Beogradi

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe Alicia Kearns, ka folur rreth zhvillimeve të ditës së djeshme në veri.

Kearns tha se Serbia po i paguan grupet kriminale serbe në veri.

Ajo e përmendi edhe shkrimin e New York që e lidh presidentin e Serbisë me krimin dhe korrupsionin.

“Inkurajoni këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë këtë artikull të NYT për Vuçiqin, dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar dhe siguruar interesat e tij. Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.

______________________________________________________________________________________________________

09:46 – Tre ushtarë hungarezë u plagosën dje me armë zjarri nga protestuesit në veri

Tre ushtarë hungarezë janë plagosur me armë zjarri nga protestuesit serbë dje në veri të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur KFOR-i, në një komunikatë për medie, transmeton Klankosova.tv

“Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Të lënduarit nuk janë në rrezik për jetën”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Kujtojmë se nga përleshja e djeshme në mes të protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it mbetën të lënduar 30 ushtarë.

09:30 – Tahiri për situatën në veri: Vuçiqi ka synim Trepçën dhe Ujmanin

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka reaguar pas zhvillimeve të ditës së hënë në veri.

Ajo tha se dhuna në veri e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe njerëzve të tij, ka një skenar.

Sipas Tahirit, synimi i Vuçiqit janë Trepça dhe Ujmani.

“Skenari i tij është që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive mbi pasuritë minerale dhe ujin në veri”, tha ajo.

Ish-negociatorja theksoi se Serbia vazhdimisht ka pasur tendenca ndaj këtyre dy resurseve të Kosovës.

“Gjatë shtatë viteve të negociatave në Bruksel, kur isha kryenegociatore Serbia ka shfaqur vazhdimisht tendenca ndaj këtyre pasurive strategjike dhe gjeopolitike të Kosovës, por nuk i kam lënë ta hapin gojën!”, theksoi Tahiri.

09:05 – Franca e dënon dhunën në veri, i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë menjëherë masa

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka reaguar ndaj situatës në veri të Kosovës.

Sipas kësaj ministrie, Franca e dënon dhunën në veri dhe u bën thirrje palëve, sidomos Qeverisë së Kosovës, të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve.

“Franca dënon dhunën që ka ndodhur në veri të Kosovës në termat më të ashpër të mundshëm dhe u bën thirrje palëve, veçanërisht Qeverisë së Kosovës, që menjëherë të ndërmarrin masat e nevojshme për uljen e tensioneve”, ka shkruar në Twitter Ministria e Punëve të Jashtme e Francës.

08:32 – Komandanti i KFOR-it: Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësinë e plotë për zhvillimet në veri

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u lënduan gjatë përleshjeve.

Ristuccia tha se Kosova dhe Serbia duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që po ndodh në veri, në vend që, sipas tij, të fshihen pas narrativave të rreme.

“Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”, ka thënë Ristuccia.

KFOR-i bëri të ditur më herët se 30 ushtarë të vet mbetën të lënduar nga përleshja e djeshme me protestuesit serbë.

08:25 – Numri i ushtarëve të lënduar të KFOR-it në veri arrin në 30

KFOR-i ka njoftuar se numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30.

“11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën, transmeton Klankosova.tv

“Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet tutje në deklaratën e këtij misioni.

“KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet në fund të njoftimit.

08:20 – Bildt: Sulmet e militantëve serbë ndaj KFOR-it, më të rënda ndër vite

Ish-kryeministri i Suedisë Carl Bildt, ka reaguar pas situatës në veri.

Ai tha se sulmet e militantëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it, janë më të rëndat ndër vite.

“Kjo është më e rënda që është parë në Kosovë për shumë vite. Militantët serbë në veri të Kosovës sulmojnë forcat e NATO-s dhe lëndojnë dhjetë prej tyre. Cikli i eskalimit duhet të ndërpritet me shpejtësi”, ka shkruar Bildt.

Protestuesit serbë gjatë së hënës i kanë sulmuar forcat e KFOR-it që ishin duke ofruar siguri tek objektet komunale.

Si rezultat dhjetëra prej tyre janë lënduar.

________________________________________________________________________________________________

08:00 – Natë e qetë në veri, protestuesit fillojnë të mblidhen edhe sot

Protestuesit serbë kanë nisur të mblidhen para objekteve komunale në veri të Kosovës, për të kundërshtuar udhëheqjen e kryetarëve të rinj.

Pranë ndërtesave të Komunave në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ka prani të pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtje të rendit.

Pas tensioneve të djeshme të krijuara nga grupe serbësh dhe përleshjes së tyre me ushtarët e KFOR-it, sidomos në Zveçan, nata në veri të vendit ka kaluar e qetë.

Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal, raporton KP.

Kujtojmë se dje protestues me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

07:33 – Kryetari i Zveçanit s’del në zyrën qendrore, shkon te ajo e komuniteteve – shkak situata

Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka bërë të ditur se ai sot s’ka dalur në zyrën qendrore të kësaj komune.

Peci në një prononcim për Klankosova.tv tha se punën sot bashkë me kabinetin e tij e ka nisur në zyrën e komuniteteve.

“Kemi dalë në zyrën e komuniteteve në fshatin Lipë në komunën e Zveçanit. Nuk kemi dalë në zyrën qendrore për shkak të situatës”, tha ai për Klankosova.tv.

Sipas tij, deri tek ky vendim kanë ardhur pas bisedimeve që kanë pasur me KFOR-in e Policinë e Kosovës.

“Në bisedime me KFOR-in e policinë kemi ardhur në përfundim që për shkak të situatës të vijmë këtu. Besoj që do të kthehemi në zyrën qendrore”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se dje situata më e tensionuar në veri të vendit ishte pikërisht në Zveçan, ku pati përleshje të mëdha në mes protestuesve serbë e forcave të KFOR-it.

Gjatë përleshjes, protestuesit hodhën shok-bomba, gurë, e koktej molotovi. Ndërsa, përveç KFOR-it sulme pati edhe ndaj mediave.