Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka shprehur mendimin se puna e Dhomave të Specializuara ka përfunduar pasi pretendimet e rreme të Dick Martyt dolën të pavërteta.

Nga marshi i sotëm “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë, Sela theksoi se nuk ka asnjë arsye për qëndrimin e mëtejshëm të kësaj gjykate dhe se ajo duhet të fokusohet në ata që shpifin dhe propagandojnë.

“Për mendimin tim, puna e Dhomave të Specializuara ka përfunduar në momentin që pretendimet e rreme të Dick Martyt dolën të pavërteta. Nuk shoh asnjë shkak që kjo gjykatë të funksionojë më. Dhomat e Specializuara duhet të merren me ata që shpifin dhe propagandojnë, duke shfrytëzuar një imazh që ishte Dick Marty. Duhet të gjykohet Serbia dhe propaganda e tyre e pavërtetë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër, ashtu siç ishte aspirata e këtij populli për liri. UÇK ishte në mbrojtje të lirisë dhe nderit të pragut të shtëpisë së shqiptarëve”, tha Sela për Klan Kosova.

Ai përfundoi duke uruar liri për çlirimtarët të cilët po gjykohen në Hagë.

 

 

sqShqip