Kopshti për fëmijë në Kërçovë, i cili deri para një viti ishte buzë kolapsit për shkak të borxheve të mëdha dhe menaxhimit të dobët, sot funksionon normalisht dhe pa asnjë detyrim financiar. Transformimi i institucionit u bë i mundur falë vendimit të Ministrit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, z. Fatmir Limani, i cili shkarkoi drejtorin e mëparshëm të emëruar jashtë çdo procedure dhe që kishte zhytur kopshtin në borxhe të mëdha, theksohet në komunikatë, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Pas këtij vendimi, ministri emëroi Arlinda Shainin drejtoreshë të kopshtit, një zgjedhje e bazuar thjesht në profesionalizëm. Kur mori detyrën, ajo gjeti një situatë të rënduar me mbi 50 mijë euro borxh për ngrohjen, fatura të papaguara tek furnizuesit e ushqimit dhe një administratë jo-funksionale. Edhe pse një pjesë e stafit veproi me bojkot dhe rezistencë ndaj udhëheqjes së re, Arlinda Shaini dhe disa bashkëpunëtorë të saj vendosën rregull, stabilizuan financat dhe rikthyen funksionimin normal të institucionit.
Në më pak se një vit, të gjitha borxhet u shlyen dhe kopshti punon sot me standarde më të larta. Ky transformim tregon qartë se me përkushtim, integritet dhe vendimmarrje profesionale, mund të kthehet në funksion edhe një institucion që dikur dukej i pashpresë. Vendimi i Ministrit Fatmir Limani dhe puna e Arlinda Shainit janë shembull i qartë se qeverisja e përgjegjshme dhe udhëheqja profesionale japin rezultate konkrete.

