May 10, 2024
Maqedoni

Ligji për mbrojtje kibernetike të popullatës në draft version

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu thotë se drafti i ligjit për siguri kibernetike të popullatës civile dhe formimi i agjencisë është në procedurë dhe është vendosur në ENER. Në krijimin e tij janë përfshirë sektori privat, joqeveritar dhe qeveritar, si dhe shkenca, që të arrihen zgjidhjet më të mira.

Deri më tani për ligjin kanë mbërritur më shumë se 90 komente dhe vërejtje nga të gjitha palët e interesuara.

“Procesi ishte shumë gjithpërfshirës nga dita e parë, ndërsa me ligjin edhe agjencinë njëherë e përgjithmonë do t’i zgjidhim problemet dhe sfidat me të cilat përballemi nga aspekti i transformimit digjital. Transformimi digjital është proces i gjatë, kompleks i cili zgjat shumë dhe nuk përfundon asnjëherë, për çka duhet të kemi udhërrëfyes dhe zbatim të tij përmes agjencisë që ta arrijmë atë që duam”, theksoi Aliu, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas konferencës për media në Qeveri.

Në pyetjen në lidhje me revizionin e brendshëm të cilin e zbatoi Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), Aliu përsëriti se rezultatet kanë treguar mosbesim të kompanive në institucione për çka edhe shumë pak prej tyre janë të gatshëm të aplikojnë në tenderë publikë.

“Kemi bërë revizion të brendshëm me kërkesën time personale për periudhën 2021 – 2023. Nga raporti shihet qartë se kompanitë janë shumë pak të interesuara për të aplikuar në tenderë publikë dhe kjo është shqetësuese. Besimi i sektorit privat ndaj institucioneve shtetërore ka rënë padyshim. Dje në takim kompanitë thanë se një nga arsyet për këtë është se dokumentacioni i tenderit ose nuk është i qartë ose është aq i qartë sa shihet se është bërë për një pjesë të sektorit privat. Nuk dua ta besoj këtë, sepse kolegët tanë nga MSHIA janë ekspertë dhe jam i bindur se mund të kemi më shumë kompani të interesuara që do të aplikojnë. Një nga masat për të përmirësuar të gjithë këtë proces do të jetë një analizë e tregut të punës dhe në atë fazë do të jemi transparent, do të kemi takime dhe unë personalisht do të thërras konferencë për media. Nga të dhënat e revizionit kemi qëllim të qartë se si të përmirësojmë proceset e brendshme, por edhe komunikimin tonë me sektorin privat”, tha Aliu.

Përsëriti edhe se MSHIA planifikon të bëjë revizion për periudhë dhjetëvjeçare.

Siç bëri të ditur dje ministri Aliu pas takimit me odat ekonomike, në 14 nga gjithsej 18 procedura tenderimi të analizuara nga janari i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2023, ishte paraqitur vetëm një kompani.