April 28, 2024
Maqedoni

Rrugët në lagjen Seravë të Çairit, në gjendje të mjerueshme

“Mund të jetë e vështirë të besohet, por kjo është një nga rrugët në një nga lagjet në kryeqytet. Banorët ankohen se tashmë 7-8 muaj një projekt që kishte filluar nga komuna për të ndërtuar ujësjellësin, janë vendosur gypat, ujësjellësi nuk është vënë ne funksion, ndërkohë që gropat e hapura rreth 7,8 muaj më parë kanë mbetur pjesërisht të mbuluara”.

Banorët e rrugës Mesta në lagjen Seravë të Komunës së Çairit shprehen të revoltuar nga gjendja në të cilën është kjo rrugë për tetë muaj. Ata hasin në vështirësi gjatë lëvizjes si në këmbë ashtu edhe me vetura. Sipas tyre shumë punë zvarriten që të promovohen para zgjedhjeve.

“A rrihet kështu, gratë me karroca me fëmijë, nga të lëvizin? Për popull s’ka shikuar askush as të mbajë një mbledhje, Vetëm për vota. Kur vijnë zgjedhje hala asnjë punë se kanë mbaruar. Vijnë e lidhin gypin me gomë i vendosin dy vida, aty gjynah është lopët të pinë ujë. Që tre herë janë duke gërmuar aty. A bëhet një punë tre here? Tenderi i jepet dikujt që njeh punën dhe jo dikujt që s ka lidhje me atë që bën. Botën ece nga të duash, kështu nuk ka. Nuk e di a kanë logjikë në kokë. Ti e ke amanet të ja mbarosh një punë dikujt kur i thua po”

“Që sa kohë është kjo rrugë kështu? Që një vit. Kjo është bërë gjithë tunele. Sot erdhën përsëri punuan pak dhe u larguan. Shikojeni si është bërë, gjithë gropa. Këtu nuk rrihet prej pluhurit kur është moti i thatë”

“Edhe ju vet e shikoni se si është rruga. I kanë lënë pas dore këto politikanët. Kanë punuar diçka, I kanë vendosur disa gypa dhe e kane lënë kështu. Sa herë që kaloj këtu vetura ka ndonjë defekt”

“Që sa kohë? Po që një vit. Normale nuk është aspak, por çfarë të bëjmë?!”

“Që sa kohë është kjo rrugë në këtë gjendje? Ka pothuajse 7,8 muaj. Pengon, por çfarë të bëjmë. Ka probleme, por ndoshta tani do ta rregullojnë. Me siguri tani do ta rregullojnë”

Nga Komuna e Çairit thonë se deri javën e ardhshme do të bëhet edhe asfaltimi i rrugës në fjalë.

Teknikisht duhet të bëhen edhe kyçjet e fundit nëpër shtëpi dhe pastaj të bëhet faza përfundimtare, pra asfaltimi. Ne e kemi ditur që do të ketë vështirësi dhe atë ditë kur e kemi promovuar kemi kërkuar nga qytetarët që të kenë mirëkuptim. Mendoj që nga fundi i javës më së voni, fillimi i javës tjetër nga firma që ka marrë tenderin kam marrë premtim që do të bëhet edhe asfaltimi”, thonë nga Komuna e Çairit.

Nga sektori për urbanizëm në Komunën e Çairit thonë se mbyllja e gropave nuk është bërë për çështje sigurie, me konkretisht që të mos lindë nevoja për largimin e asfaltit në rast se ndodh plasaritje e ndonjërit prej gypave. Ata shtojnë se sipas marrëveshjes së 9 shkurtit të këtij viti me kompaninë që ka fituar tenderin, punimet duhet të përfundojnë në afat prej një viti.

Evi Shkopi/AlsatM