Presidenti i shtetit nuk do të mund më të falë persona ndaj të cilëve vendimet gjyqësore nuk janë të plotfuqishme. Ky është një ndër ndryshimet në ligjin për falje, për të cilin u debatua në Fakultetin Juridik në Shkup.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova theksoi se zgjidhjet ligjore gjithmonë duhet të krijohen duke pasur parasysh profilet e ndryshme të presidentëve, ndërsa e drejta diskrecionale e vendimmarrjes duhet të reduktohet në minimum.
“Sepse në këtë veprim gjithmonë ka hapësirë për sjellje diskrecionale. Pyetja është si të reduktohet në minimum apo madje si të anulohet diskrecioni. Në një sistem politik demokratik nuk duhet të ketë hapësirë për një veprim të tillë”, tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente e RMV-së.
Aleksandra Gruevska Drakulevski theksoi se miratimi i këtij ligji duhet të ecë paralelisht me ndryshimet në Kodin Penal.
“Ndryshimi kyç në këtë propozim-ligj për falje është se hiqet abolicioni. Kjo do të thotë se presidenti i shtetit do të mund të japë falje vetëm për persona të dënuar me vendim të formës së prerë, por edhe në pjesën e ndjekjes penale”, tha Prof. Dr. Aleksandra Gruevska Drakulevski.
Falja e personave të dënuar shpesh shkakton pakënaqësi në opinionin publik. Skandali i fundit ndodhi në vitin 2024, kur të gjithë anëtarët e Komisionit për Falje dhanë dorëheqje pas kritikave të opinionit për disa nga emrat e personave që ishin në listën për falje./ Alsat.

