Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është “gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, pavarësisht plagëve të marra gjatë operacioneve ushtarake, deklaroi sot Yousef Pezeshkian, këshilltar në qeveri dhe bir i presidentit iranian.
“Dëgjova lajme se Mojtaba Khamenei është plagosur. Pyeta disa miq të lidhur me të. Më thanë se, falë Zotit, ai është gjallë dhe i shëndetshëm”, shkroi Pezeshkian në platformën Telegram.
Televizioni shtetëror iranian e përshkroi Khamenein si “veteran të plagosur nga Lufta e Ramazanit”, por nuk saktësoi natyrën e plagëve, transmeton The Guardian.
Më herët kishte spekulime për gjendjen e tij shëndetësore dhe vendndodhjen, pasi Mojtaba Khamenei nuk është paraqitur publikisht që nga dita kur, tri ditë më parë, e trashëgoi të ndjerin babain e tij, Ajatollah Ali Khamenei, në postin e liderit suprem.
The New York Times raportoi se Mojtaba Khamenei u plagos në ditën e parë të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, duke iu referuar tre zyrtarëve iranianë dhe dy izraelitë që dëshironin të mbeteshin anonim.

