Edhe këtë fillimviti shkollor, imami i Kondovës, ef. Nevzat Ameti i cili në rrethinë njihet si Lideri Kondova, ka dëshmuar se humanizmi i tij nuk njeh kufij. Ai shpërndau 300 çanta shkollore, të mbushura me gjithçka që u duhet vogëlushëve të gjithë shkollave të dërvenit, me fletore, lapsa, vizore, ngjyra dhe materiale të tjera për një vit të tërë mësimor.
Përkushtimi i tij ndaj fëmijëve dhe familjeve të fshatit dhe më gjerë në Komunën e Sarajit, është i vazhdueshëm. Prej vitesh, ef. Ameti siguron që asnjë fëmijë të mos ndihet i harruar, duke ofruar jo vetëm çanta dhe mjete shkollore, por edhe veshmbathje dhe mbështetje për çdo nevojë të tyre.
Humanizmi i tij shtrihet përtej kësaj. Çdo muaj ai ndihmon jetimët dhe familjet në nevojë me ushqime, veshmbathje dhe ndihma financiare. Përveç kësaj, ka investuar në përmirësimin e kushteve në shkolla, shpesh duke tejkaluar institucionet përgjegjëse si komuna dhe ministria e arsimit. Ef. Nevzat Ameti ka dhënë kontribut edhe në infrastrukturën e fshatit, nga mirëmbajtja e rrugëve deri tek kujdesi i veçantë për varrezat, të cilat konsiderohen ndër më të rregulltat në rajon.
Banorët e Kondovës e shohin ef. Nevzat Ametin si një shembull të gjallë humanizmi, një njeri që ka bërë traditë ndihmën për të tjerët dhe që me veprat e tij na inspiron të gjithëve.