May 15, 2024
Maqedoni

Lëvizja Besa i reagon Arbër Ademit: Nuk ke ndjenja kombëtare!

“Lëvizja BESA: “Vetëm BDI-së dhe ASH-së nuk i pengon 20% për gjuhën shqipe”, kështu ka nisur reagimi i Lëvizjes Besa ndaj deklaratës së deputetit të BDI-së, Arbër Ademi për 20% e gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, transmeton TV21.

Nga Besa thonë se Ademi mundohet të shesë mjegull kur thotë se Bashkimi Evropian është kundër heqjes së 20% në Kushtetutë dhe shtimit të gjuhës shqipe bashkë me ndryshimet kushtetuese që parashohin futjen e popullit bullgar dhe të tjerëve në preambulë.

Reagimi i Besës në formë të integruar:

Derisa pushteti në të cilin janë BDI dhe ASH flasin për vlera evropiane, ata
shkelin të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut të garantuara nga Konventat evropiane.
Derisa BDI përpiqet që me gjithë energjinë e saj të fus bullgarët në
Kushtetutë, vlerëson se është e panevojshme që gjuha shqipe të jetë pjesë
e Kushtetutës dhe të mos quhet si 20%.

Madje ajo që është edhe më tragjike, sipas deputetit dhe koordinatorit të
BDI-së, Arbër Ademi, kush tenton të heq 20% dhe të vendos gjuhën shqipe
në Kushtetutën e RMV-së, qënka i afërt me Rusinë. Me vetëdije apo pa
vetëdije Arbër Ademi dëshiron të na shes mjegull se gjoja, BE qënka
kundër gjuhës shqipe në Kushtetutë, e ky veprimi i opozitës shqiptare
qënka anti evropian.

Këto bindje dhe mendime mund ti shpërndajnë vetëm politikan që nuk kanë
ndjenja kombëtare dhe i kanë harruar vlerat dhe kulturën e popullit të tyre.
Politikanë që për interesa personal dhe partiak kanë harruar se nga cilët
qytetar e kanë marrë votën, çfar gjuhe flasin dhe çfarë janë.

Kjo dëshmon se BDI-së dhe partnerit të tyre shqiptar në Qeveri, nuk u
intereson as gjuha shqipe dhe as qytetarët shqiptarë, por vetëm tenderët
dhe pasurimi i tyre personal, për çka po shesin gjithçka, madje edhe gjuhën
shqipe vetëm për të plotësuar apetitet e atyre që janë kundër gjuhës
shqipe.

E pyesim Arbër Ademin, pse BDI, njejtë si Levica është kundër gjuhës
shqipe?

Cili nga liderët dhe diplomatët e BE-së ka deklaruar se gjuha shqipe nuk
duhet të jetë në Kushtetutën e RMV-së?

A është BDI, Rusia dhe Levica kundër gjuhës shqipe, apo BE dhe SHBA?
Me çfarë do të dalin në zgjedhjet e ardhshme të kërkojnë votën e
shqiptarëve, me vendosjen e bullgarëve në kushtetutë dhe neglizhencën e
gjuhës shqipe për më shumë se tre dekada?

Dhe i rikujtojmë BDI-së dhe partnerëve të tyre se gjuha shqipe është e
pranuar nga të gjitha vendet evropiane e më gjërë si gjuha më e vjetër në
Evropë, ndërsa populli shqiptarë është partneri më besnik i BE-së dhe
SHBA-së.

Andaj, mos i plotësoni dëshirën qarqeve proruse e proserbe në vend, por
mbështetni propozimin e Lëvizjes BESA që gjuha shqipe të njihet si gjuhë e
shqiptarëve në Kushtetutë e jo si gjuhë e 20%.