Maqedoni

“Levica” bllokon me 1.000 amendemente një ligj për Korridorin 8 dhe 10D

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur nga gazetari i Alsat rreth anulimit të Komisionit për punë dhe politikë sociale, pranoi se një gjë e tillë ka ardhur si rezultat i numrit të madh të amendamenteve të propozuara nga partia “E Majta”. Kovaçevski madje tha se kjo parti është kundër të gjitha projekteve strategjike të vendit.

“Qëllimi i propozim ligjeve që janë propozuar në Kuvend është me zbatimi sa më i shpejtë dhe sa më efikas i ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10-d, si prioritete strategjike për shtetin. Këtë shpesh herë e ka përsëritur. Deputetët janë ata që kanë miratuar ligjin për këtë investitor strategjik, dhe përmes një ligji special qeveria ishte e obliguar që t’i zbatoj të gjitha procedurat të cilat edhe janë kryer dhe më vonë me qëllim të përshpejtimit, thjeshtësimit të procedurave në pjesën e ndërtimtarisë, që edhe më herët është kërkuar nga një numër i madh i kompanive ndërtimore, projektuesve në shtet me qëllim të përshpejtimit të procedurave dhe rritjes së efikasitetit gjatë punës, produktivitetit para së gjithash. Deputetët kanë propozuar ligje të cilat për fat të keq që një parti politike e cila është kundër të gjitha qëllimeve strategjike të shtetit, ka parashtruar amendamente me të cilat praktikisht, po zvarritet debati. Sot nuk është mbajtur seanca, se si do të rrjedhin gjërat në ditët në vazhdim do të njoftoheni me kohë, megjithatë qëllim i shumicës dhe kësaj qeverie është që ky projekt të realizohet”, deklaroi Kovaçevski.

Deputeti nga radhët e BDI-së, Arbër Ademi, tha sot se projektligji për marrëdhëniet e punës në Kuvend do të sjellë ndërtim më efikas, më të mirë dhe më të shpejtë të autostradave nga korridoret 8 dhe 10D.
Ai tha se ky ligj është propozuar për disa arsye.

“Ky ligj është propozuar për disa arsye, nuk ka të bëjë vetëm me cilësinë, por edhe me projektet më të mëdha të infrastrukturës. Nga ne varet nëse duam më shpejt dhe më lirë, apo më ngadalë dhe më shtrenjtë”, tha Ademi.

Ademi sqaroi se Qeveria nuk ka arritur marrëveshje të dëmshme, siç akuzon opozita.

“Janë bërë konsultime, nuk bëhet fjalë për Ligje antikushtetuese, por duke pasur parasysh se janë dorëzuar mbi 1000 amendamente, bëhet fjalë për bllokim, sepse nuk ka kuptim që një projektligj me 3 nene të ketë kaq shumë amendamente pra ky është një lloj bllokimi i projektit, realizimi më i shpejtë dhe më i lirë i tij”, tha Ademi.