May 9, 2024
Maqedoni

LEN reagon sërish për zhvillimet në M-NAV: BDI po i hedh shqelmat e fundit, më 8 maj çlirohen shqiptarët

Lidhja Europiane për Ndryshim ka reaguar pas sulmit që është bërë ndaj të punësuarve në M-NAV nga funksionarë të BDI-së. Ata thonë se janë të shokuar me nivelin e primitivizmit të BDI-së, të shfaqur dje në dhunë ndaj disa punonjësve shqiptarë të punësuar në kontrollin e fluturimeve M-NAV.
“Përveç nepotizmit të skajshëm dhe partizimit të institucioneve shtetërore, presion të vazhdueshëm ndaj të punësuarve në administratë për të marrë pjesë në tubimet e BDI-së, shkeljes së dinjitetit të këtyre njerëzve, BDI-ja tashmë ka filluar të ushtrojë edhe dhunë fizike ndaj tyre.
Këto janë shenja paniku që po shfaq BDI-ja duke e ditur se nuk mund ta evitojë humbjen në zgjedhjet e 8 majit. Ajo po i hedh shqelmat e fundit përpara se të zhytet në histori nga 9 maji e tutje.
Zgjedhjet e ardhshme do t’i japin fund zullumit të BDI-së ndaj shqiptarëve, institucionet do të çlirohen dhe shqiptarët do të jetojnë e funksionojnë lirshëm, dinjiteti i secilit do të respektohet”, thuhet në reagimin e LEN-it.
Nga LEN i bëjnë thirrje institucioneve – Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë Publike – që ta zbardhin rastin sa më shpejt dhe autorët t’i nxjerrin para drejtësisë.
“Të hetohet edhe drejtori i institucionit që lejoi hyrjen e personave të papunësuar me qëllim të ushtrimit të dhunës ndaj të punësuarve shqiptarë brenda institucionit. Kërkojmë që misionet diplomatike në vend, posaçërisht Ambasada e ShBA-së dhe Delegacioni i BE-së në Shkup, të reagojnë ndaj ndërhyrjes huliganeske të BDI-së në institucionet shtetërore, partizimin e tyre dhe keqtrajtimin e të punësuarve shqiptarë në këto institucione”, thuhet më tej në reagimin e tyre.