Lamtumirë profesor!
Shkruan: Prof.Dr. Kushtrim Ahmeti
Derisa copëzat e dheut po rrokulliseshin mbi arkivol, në mes lotëve dhe dhembjes, kujtesa u rikthye 20 vite para, atëherë kur dashuria për filozofinë mori formë dhe përmbajtje. As atëherë e asnjëherë tjetër se kisha menduar dot se do të vijë dita kur nuk do të jesh më në mesin tonë, apo se kaq shpejt do të ndahemi nga Ti.
Ishte fillim tetori i vitit 2004, po fillonim vitin e dytë të studimeve në Universitetin e Tetovës, të sapodalë nga ilegaliteti me ëndrrën e realizuar për universitet shqip të pranuar, për çka nuk e fshihnim dot krenarinë dhe gëzimin. Te objekti i ish-fabrikës së duhanit ku atëherë i zhvillonim ligjëratat, me padurim prisnim profesorin e gjithë profesorëve tanë të deriatëhershëm, profesorin Kadri Metaj i cili po rikthehej në Universitetin tonë. Entuziazmi dhe pritja nuk na zhgënjeu për profesorin e Filozofisë politike, i cili që në orën e parë filloi të na flasë për Karl Popperin e Hanah Arendin.
,,E rëndësishme është që ju të filloni të mendoni me kokën tuaj, kur ta arrij këtë qëllim, misioni im përfundon”- ishin fjalët që na i the, në atë fillim viti akademik e që ende kumbojnë në thellësinë e ndërgjegjes sime.
Universitetin e Tetovës e kishe në shpirt, aq sa edhe Universitetin e Prishtinës. Me entuziazëm përcillje çdo zhvillim dhe i gëzoheshe çdo aritjeje. E konsideroje një nga iniciativat më të guximshme të një gjenerate për të ngritur një projekt emancipues i cili fatmirësisht rezultoi plotësisht i suksesshëm.
I gëzoheshe pa masë çdo suksesi që e arrinim, në veçanti kur i respektonim meritorët dhe kur nuk e harronim kontributin e tend, por edhe kontributin e të tjerëve. “Kur faktet ruhen dhe respektohen, ato depozitohen si trashëgimi kulturore dhe arsimore. Janë me fat komunitetet qe kanë udhëheqës mirënjohës të cilët ,, gurë mbi gurë ndërtojnë kalanë”- na the para shtatores së Prof.Dr. Fadil Sulejmanit të cilin e çmoje për guximin intelektual.
Stoiku i kohës sonë, është epiteti që mës së miri përshkruan rrjedhën e jetës tënde, si intelektual që nuk hezitove asnjëherë ta thoje të vërtetën, dhe që rezistove me lirinë e mendimit.
Sfidove kohën, dhe nuk e përule asnjëherë dinjitetin, madje edhe para regjimit më të egër.
Gjithmonë na flisje me mirënjohje për idealet e prof. Aganit, dhe na mbështete gjithmonë, pikërisht ashtu siç kishte vepruar ai dikur.
As para sëmundjes nuk u përule, deri në fund ruajte shpresën dhe vullnetin për jetë, dhe gjithmonë e reflektove edhe ndër ne.
Zbrazëtia që ke lënë pas, është e madhe sa edhe dhimbja, po në kujtimet tona gjithmonë do t’i ruajmë këshillat, bashkë me modestinë dhe urtësinë tënde.
Shumë biseda na mbetën të papërfunduara, sepse çdo herë koha kalonte shpejt ashtu siç erdhi edhe sëmundja bashkë me vdekjen.
Gjithmonë do ta kujtojmë ashtu siç ishte në të vërtetë, sepse gjithmonë ishte vetvetja dhe na mësove të tillë të jemi.
Përjetësisht mirënjohës!
Lamtumirë profesor!
Prehu në paqen e përhershme!
https://www.facebook.com/share/p/qDqSq6oGGJrn4BbA/?mibextid=I6gGtw