Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz, një nga zërat më të veçantë të jetës publike në Maqedoninë e Veriut, i njohur për analizat e tij politike, debatet publike dhe qëndrimet e drejtpërdrejta për zhvillimet në vend dhe rajon, shkruan gazeta KOHA.
Agim Jonuz ishte figurë e njohur për publikun e gjerë si analist politik, publicist dhe ish-zëdhënës qeverie, i cili shpesh është angazhuar në çështje që lidhen me identitetin, marrëdhëniet ndëretnike dhe proceset integruese të vendit.
Në komentet dhe intervistat e tij, Jonuz ka qenë kritik ndaj politikave përjashtuese dhe ka bërë thirrje për bashkëjetesë, respekt të ndërsjellë dhe një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët.
Agim Jonuz lindi dhe u rrit në Shkup, ku e zhvilloi edhe pjesën më të madhe të jetës profesionale. Ai ka qenë për shumë vite i angazhuar në sektorin publik dhe privat, ndërsa ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në periudha të ndryshme, ku është vlerësuar për qasjen profesionale dhe komunikimin e qartë me opinionin publik.
Në sferën e biznesit, ai ishte drejtor ekzekutiv i kompanisë “VIA Group Defence”, me veprimtari në Shkup, Ankara dhe Lindjen e Mesme, ndërsa njëkohësisht ishte këshilltar dhe konsulent në fusha të ndryshme ekonomike dhe të sigurisë.
Si analist politik, Jonuz ishte i pranishëm në shumë debatet televizive dhe forume publike, ku komentonte zhvillimet politike në vend, marrëdhëniet mes komuniteteve etnike dhe rrugën euro-integruese të Maqedonisë së Veriut.
Ai njihej për stilin e tij të drejtpërdrejtë, shpesh provokues, por gjithmonë i motivuar nga dëshira për përmirësim shoqëror dhe institucional.
Në një nga deklaratat e tij të njohura, Jonuz kishte thënë se “jam shqiptar nga Maqedonia, dhe kjo është pasuri, jo ndarje”, duke theksuar rëndësinë e identitetit të dyfishtë dhe tolerancës në një shoqëri multietnike.
Një kohë të gjatë, Agim Jonuz ka qenë kolumnist i rregullt i gazetës KOHA. (koha.mk)
