May 19, 2024
Maqedoni

Sela: Taravari po i shërben Mickoskit duke mbështetur një “kushtetutë qytetare”

Aleanca e Ziadin Selës i ka reaguar Taravarit për një deklaratë tjetër.

Theksohet se dënojnë në formë të prerë deklaratat e nxitura fillimisht nga VMRO-DPMNE dhe të plasuara së fundmi edhe nga Arben Taravari për Kushtetutë “qytetare” dhe për fshierjen e bashkësive etnike nga Kushtetuta. “Ky propozim na kthen 25 vjet pas, fshin shqiptarët dhe të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë, shfuqizon Marrëveshjen e Ohrit, ndryshimet Kushtetuese për barazi të shqiptarëve, Ligjin për përdorimim e gjuhëve, mekanizmin e Badenterit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe shumë të drejta të tjera të fituara në dy dekadat e fundit”, theksohet në komunikatën e krahut të Selës, në Aleancën për Shqiptarët. “Taravari me deklaratat e këtilla dëshiron të bëjë me shtetin, atë që nuk arriti të bëjë me Aleancën për Shqiptarët kur propozonte që ta riemërtojë si Aleanca për Qytetarët. I bëjmë thirje edhe një herë që të heq dorë nga skenaret e rrezikshme të Mickoskit dhe VMRO-së dhe të mos vën dorë në të drejtat e shqiptarëve për të arritur qëllime karrieriste personale”, theksohet në fund të deklaratës.