April 29, 2024
Maqedoni

Lajm i shumëpritur: Bundestagu gjerman ka gjetur “ilaçin”, VMRO do të përkrahë ndryshimet Kushtetuese?

Brukseli nuk do të komentojë për diskutimet e brendshme në vend– kështu thuhet në përgjigjen e shkurtër nga delegacioni i Bashkimit Evropian, në pyetjen se a është i pranueshëm për Unionin propozimi i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski që ndryshimet kushtetuese të miratohen gjatë kësaj periudhe, por të hyjnë në fuqi vetëm para anëtarësimit. Nga Delegacioni i BE-së për Alsat shprehen se konkluzionet e Këshillit të BE-së, të cilat u votuan vitin e kaluar, janë të qarta dhe janë pjesë e pakos së dokumenteve që përbëjnë kornizën e negociatave.

“Këshilli vendosi, siç shkruhej në konkluzionet e korrikut 2022, të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me synimin për të paraqitur Kornizën negociuese dhe gjendjen e punëve përgatitore nga Komisioni dhe Këshilli është i gatshëm ta mbajë atë pa vonesa të mëtejshme ose vendim politik, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë zotimin e saj për të përfunduar ndryshimet kushtetuese të lartpërmendura, në pajtim me procedurat e saj të brendshme”, thonë nga Delegacioni i BE-së.

Mickoski paraprakisht kërkoi që amendamentet kushtetuese të miratohen tani, por përmes dispozitave përfundimtare dhe kalimtare, të hyjnë në fuqi kur parlamentet e shteteve anëtare ta ratifikojnë Protokollin për anëtarësim të vendit në BE. Nga LSDM-ja thonë se kjo nuk do të ishte në përputhje me kornizën negociuese dhe sugjeroi që në dispozitat përfundimtare të amendamenteve kushtetuese të theksohet se ato do të hyjnë në fuqi ditën e mbajtjes së Konferencës së dytë ndërqeveritare. Gjithashtu, VMRO-DPMNE kërkoi garanci nga Këshilli i BE-së se në procesin e negociatave nuk do të preken çështjet që prekin identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Jozyrtarisht, Bundestagu gjerman së shpejti do të miratojë rezolutë me të cilën do të konfirmohet në mënyrë shtesë njohja e identitetit dhe gjuhës maqedonase, por për momentin nuk dihet nëse kjo garanci do t’i plotësonte kërkesat e partisë. /Alsat.mk