May 19, 2024
Rajon - Botë

Lajm i Fundit: Shpërthejnë tensionet në Rusi mes vete, Wagneri niset për të sulmuar Moskën

Tensionet kanë eskaluar në mes të Rusisë dhe grupit mercenar “Wagner” të premten në mbrëmje dhe në orët e para të së shtunës. Pas përplasjeve të fundit për goditjen e njëri-tjetrit, shefi i grupit ushtarak mercenar “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, ka njoftuar se ky grup ia ka mësyrë për sulm Moskës.

Pas akuzave se Ministria Ruse e Mbrojtjes e ka mashtruar për luftën në Ukrainë, Prigozhin ka thënë se tashmë “Wagneri” ka hyrë në Rusi dhe ia ka mësyrë kryeqytetit.

“Forcat kufitare na kanë përqafuar rrugës për Rusi. Do të shkatërrojmë gjithçka rrugës”, ka thënë ai, raporton BBC.

Siç ka njoftuar mediumi shtetëror rus, TASS, në Moskë janë marrë tashmë masat e sigurisë. Rusia tashmë ka lëshuar urdhërarrest për kreun e “Wagnerit”.

Për situatën e re të shkaktuar në Rusi, është njoftuar edhe presidenti amerikan, Joe Biden.

Për rastin ka dalë me deklaratë të shkurtër edhe Shtëpia e Bardhë.

“Jemi duke monitoruar situatën dhe do të vazhdojmë konsultat me aleatët dhe partnerët mbi këto zhvillime”, ka thënë një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA.