May 13, 2024
Rajon - Botë

A po fillon ndarja e Rusisë? Wagner mer një qytet nën kontroll!

Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar të shtunën se do t’i ndëshkojë kryengritësit, pasi grupi mercenar Wagner, ka thënë se do ta rrëzojë udhëheqësinë e ushtrisë ruse.
Në fjalimin e mbajtur ai kërkoi konsolidimin e të gjitha forcave dhe tha se veprimet ishin tradhti dhe “një thikë në shpinë ndaj popullit rus”, pas deklaratave të fundit të shefit të Wagnerit Yevgeny Prigozhin.
Pa e përmendur emrin e Prigozhinit, Putin është zotuar për t’i ndëshkuar ata që janë mbrapa rebelimit.
Ai e ka pranuar se situata në Rostov-on-Don – qytet ku janë stacionuar pjesëtarë të Wagnerit – është e vështirë. Wagner ka pretenduar se e kontrollon këtë qytet rus afër kufirit me Ukrainën, ku banorëve u është thënë të qëndrojnë brenda.
Në orët e vona të së premtes, Rusia e ka rritur sigurinë në të gjitha aspektet: e ka kufizuar internetin dhe tanket ushtarake janë parë nëpër rrugët e Moskës.
Prigozhin e ka akuzuar ushtrinë se ka nisur sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të tij në Ukrainë – ku trupat e Wagnerit luftojnë përkrah ushtrisë ruse. Moska ka hedhur poshtë diçka të tillë.