Iran dhe SHBA kanë marrë një plan për armëpushim, i cili mund të hyjë në fuqi sot dhe të rihapë Gjirin e Hormuzit, raportoi sot Reuters, duke iu referuar një burimi të paidentifikuar të njohur me propozimin.
Sipas burimeve, Pakistan ka përgatitur kuadrin për armëpushim dhe e ka dërguar mbrëmë te Iran dhe SHBA. Plani përfshin një qasje me dy hapa: Fillimisht armëpushim i menjëhershëm, i ndjekur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Të gjitha elementet duhet të dakordohet sot“, tha burimi, duke shtuar se marrëveshja fillestare do të strukturohet si një memorandum mirëkuptimi i finalizuar në mënyrë elektronike përmes Pakistanit, i cili shërben si kanali i vetëm komunikues në negociata.
Më parë, Axios raportoi, duke iu referuar burimeve amerikane, izraelite dhe rajonale, se SHBA, Irani dhe ndërmjetësit rajonalë po diskutojnë një armëpushim 45-ditor si pjesë e një marrëveshjeje me dy faza, që mund të çojë në fund të përhershëm të luftës.
Sipas Reuters, shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, ka qenë në kontakt “gjatë gjithë natës” me zv/presidentin amerikan J. D. Vance, përfaqësuesin special Steve Witkoff dhe ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Sipas propozimit, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi, Gjiri i Hormuzit do të rihapet, dhe do të ketë 15-20 ditë shtesë për të finalizuar një zgjidhje më të gjerë.
Marrëveshja, përkohësisht e quajtur “Marrëveshja e Islamabadit”, do të përfshijë një kuadër rajonal për Gjirin, me bisedime ballë për ballë që do të zhvillohen në Islamabad.
Përfaqësuesit iranianë kanë deklaruar më parë për Reuters se Teherani kërkon armëpushim të përhershëm me garanci se nuk do të sulmohet më nga SHBA dhe Izraeli.
Irani ka marrë komunikime nga ndërmjetësit, përfshirë Pakistanin, Turqinë dhe Egjiptin.
Pritet që marrëveshja përfundimtare të përfshijë angazhimin e Iranit për të mos ndjekur armë bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve dhe lirimit të fondeve të ngrira, tha burimi.
Sipas dy burimeve pakistaneze, Irani ende nuk është angazhuar, pavarësisht aktivitetit të shtuar civil dhe ushtarak.
“Irani ende nuk ka përgjigjur”, tha një burim, duke shtuar se propozimet e mbështetura nga Pakistan, Kina dhe SHBA për armëpushim të përkohshëm deri tani nuk kanë sjellë angazhime nga Teherani.

