KosovëRajon - Botë

Lajçaku takoi Bislimin në Prishtinë, biseduan për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe dinarin

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka takuar në Prishtinë kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi. Pas takimit, ai u bëri thirrje palëve që të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë, pasi, sipas tij një gjë e tillë është në interesin e të gjithëve. Lajçaku kërkoi më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes Bazike, e cila siç tha ai tashmë ka bërë një vit që nga nënshkrimi.

“Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes Bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë, prandaj është në interes të secilit të zbatohet, sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër. Por besoj se këto çështje munden shumë thjesht të zgjidhen.”, – deklaroi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në takim është biseduar edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ka të bëjë me dinarin, për çka Lajçaku tha se janë disa përgjigje që duhet analizuar, por ky është një proces. Duhet të jemi të sigurt që qytetarët të mos të ndikohen negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, tha Lajçaku, i cili planifikon që ditët në vijim të organizojë takim të ri në Bruksel.