May 6, 2024
Maqedoni

Kuvend, Ademi: Ligjet me rëndësi të miratohen gjatë javës

Deputetët drejt fundit të mandatit me 50 seanca të papërmbyllura nga 150 gjithsej që ishin parashikuar për këtë mandat. Arbër Ademi nga BDI fajëson opozitën për bllokimin e punës së kuvendit që sipas tij u shëndrua në praktikë.

Madje sipas Ademit për rreth 100 ligje as që është thirur seancë posaçërisht në komisionet që udhëhiqen nga opozita. Sa i takon ligjeve për investime strategjike dhe ato të administratës, të cilat edhe sot u anashkaluan, Ademi shpreson në votimin e tyre.

“Ligjet që kanë të bëjnë me administratën duhet të miratohen. Ne kemi edhe një seancë këtë javë dhe do të presim, do të kemi edhe kordinim për të parë se si do të veprohet më tej. Sa I takon investimeve strategjike, për një pikë nuk duhet të bllokohen gjitha investimet strategjike që janë në dobi të shtetit. Mbetemi në qëndrimin se duhet të ketë komision ku do të shqyrtohen. Ato pika nuk janë kontestuese dhe deputetët me shumicë të votave do të mund të vendosin.” – tha Arbër Ademi nga BDI.

Micevski: U votuan ligje në interes të pushtetit

Nga VMRO – DPMNE fajësojnë pushtetin se nuk ka shqyrtuar çështje të rëndësishme, përpos ligjeve që kanë qenë pjesë e dakordimeve të partnerëve qeverisës.

“Në kuvend nuk janë shqyrtuar interpelancat të bartësve të funksioneve për Talat Xhaferin, Mariçiqin dhe Lupço Nikollovskin. Në kuvend nuk u shqyrtua raporti për përparimin e Maqedonisë. Jemi për Europë, ndërkaq dokumenti kryesor nuk u shqyrtua. Dhe për dallim nga kjo, dy herë në procedurë u vendos ligji i lojrave të fatit. Në kuvend as që u shqyrtuan informacione të dorëzuara nga opozita, sikurse për aksidentin në Llaskarcë, zjarrin në spitalin e Tetovës.” – u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO – DPMNE në moment të fundit do të shtyejnë votimin e ndryshimeve ligjore për vendosjen e orizit në listën e produkteve për krijimin e rezervave ushqimore, duke kërkuar seancë urgjente për këtë çështje.

Ndasitë për mbarëvajtjen e punës së kuvendit sipas shumicës pritet të tejkalohen gjatë mandatit të ardhshëm kur do të punohet sipas rregullores së re./TVM2