Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese, u rikthye në krye të bashkisë më të madhe në vend, ka firmosur nga qelia urdhrin e parë.
Veliaj ka kërkuar nisjen të përgatitjeve për festat e fundvitit në Tiranë.
“Në kuadër të afrimit të festave të fundvitit, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve të marrë masat dhe të nisë menjëherë përgatitjet për dekorimin dhe vendosjen e zbukurimeve dhe ndriçimeve dekorative në hapësirat publike, sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit të Tiranës, duke respektuar standardet e larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të miratuara për të qëllim.
Po kështu, në mbështetje të vendimit nr. 420, datë 08.06.2006 të Këshillit të Ministrave ” Për miratimin e ceremonialit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të merren masat për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të këtyre të fundit.
Për realizimin dhe mbështetjen e këtij procesi, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve të bashkëpunoj me institucionet përkatëse shtetërore, Bashkinë Tiranë dhe institucionet e saj të vartësisë”, thuhet në kërkesën e firmosur nga Veliaj.
Më 3 nëntor, 5 vota pro dhe 3 kundër brenda Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë Erion Veliajt të rimarrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Pas një beteje jo të shkurtër, Erion Veliaj ia doli në Kushtetuese, duke rrëzuar kështu vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.

