May 16, 2024
Maqedoni

Kush ishte Enver Selmani, juristi i parë shqiptar në rajonin e Kumanovës

Ka ndërruar jetë Enver Selmani, juristi në pension nga Likova e komunës me të njëjtin emër.
Enver (Ramadan) Selmani lindi me 10 shtator 1944 në fshatin Likovë.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e vendlindjes në Likovë.
Ai rrjedh nga një familje arsimdashëse, cila nga gjiri i vet ka nxjerrë shumë profile inxhinierë, mjekë, teologë dhe doktorë shkencash.
Për shkak të rrethanave të atëhershme të mungesës së arsimit të mesëm në gjuhën shqipe, ai ishte i obliguar të shkonte për t’i vijuar mësimet në shkollen e mesme ekonomike në Gjilan.
Pasi kreu shkollën e mesme ekonomike në Gjilan, ai i vazhdoi studimet në fakultetin juridik në vitin 1964 dhe i mbaroi në vitin 1968. Ishte Juristi i diplomuar i parë në regjionin e komunës së Likovës dhe Kumanovës.
I ndjeri Enver Selmani ishte edhe pjesëmarrës i demostratave të vitit 1968.
Për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm të shqiptarëve Enver Selmani, si jurist i diplomuar, nuk mundi të punësohej në Kumanovë, andaj qe i obliguar që të kërkojë punë diku në Kosovë.
Dhe, fatin e gjeti të punësohej në Kombinatin e tekstilit “INTEGJ” në Gjilan si referent për punë juridike.
Për shkak të vlerave të tij profesionale, ai në vitin 1972 zgjidhet drejtor i punëve të përbashkëta në Kombinatin e tekstilit “INTEGJ” në Gjilan.
Këte funksion e ushtroi me shumë sukse në punë për 8 vjet radhazi.
Në vitin 1980 u zgjodh drejtor i Shërbimit të kontabilitetit shoqëror e njohur si Banka popullore e Kosovës për komunat e Gjilanit, Kamenices dhe Vitisë.
Këtë funksion Enver Selmani e ushtroi deri në vitin 1989. Enver Selmani në vitin 1989 u diferencua ideopolitikisht nga sistemi diskriminues fashist serbosllav i instaluar ateherë në Kosovë, pas ndërrimeve kushtetuese me dhunë.
Po në këtë vit, ai shkarkohet nga pozita e drejtorit nga regjimi serbosllav, për shkak të mospajtimeve të tij me politikën e atëhershme të Sërbisë.
Enver Selmani gjatë veprimtarisë së vet gjithnjë ishte i lidhur për vendlindje si gjithëherë ka qenë në mbështetje të bashkëvendasve nga Rajoni i Kumanovës.
Kështu që emri i Enver Selmanit për punën dhe veprën e tij edhe sot e kësaj dite kujtohet me pietet të lartë në Gjilan dhe rrethinë.
Vjen 3 shtatori 1990 dhe Enver Selmanin definitivisht e nxjerrin edhe nga puna sikurse mijëra shqiptarët të tjerë.
Kështu që pas largimit nga puna i ndjeri u kthye në vendlindje dhe gjashtë vite ishte i papunë.
Në vitin 1996 punësua në Entin për qarkullimin e pagesave në Shkup, ku punoi deri në vitin 2002.
Prej vitit 2002 deri në pensionim punoi në Qendrën ndërkomunale për punë sociale në Kumanovë.
I ndjeri ka qenë axhë i dr. Rexhep Selmanit./Open-TV.