May 9, 2024
Maqedoni

Kush është vajza e re nga Kumanova që vazhdimisht vjedh nëpër qytet?

Shumë banorë të Kumanovës jetojnë me frikën se mund të bëhen viktima e radhës e një vajze të re kumanovare që vjedh vazhdimisht nëpër qytet.

Bëhet fjalë për 25-vjeçaren M.Z. e cila ka kryer dhjetëra vjedhje në shtëpi dhe banesa, si në zonën qendrore të qytetit ashtu edhe në paralagjet e qytetit, transmeton Lideri.mk.

Nuk kalon një muaj që ky person të mos ketë kryer së paku ndonjë vjedhje, për të cilën raportohet vazhdimisht nga Sektori i Punëve të Brendshme të Kumanovës.

Dhe pas një kohe sërish është e lirë.

M.Z. është makth për policinë e Kumanovës që merret vazhdimisht me të. Por ata e arrestojnë, e mbajnë për një kohë të shkurtër dhe aty përfundojnë kompetencat e tyre. Më pas ajo duhet të ndiqet nga Prokuroria dhe të gjykohet nga gjykata.

Nga MPB-ja e Kumanovës i kanë thënë portalit “Kumanovski Muabeti” se deri më tani ndaj saj kanë ngritur gjithsej 24 kallëzime penale.

Vjedhjen e parë e ka kryer në vitin 2015, kur ndoshta ishte ende e mitur dhe dy të fundit fundjavën e kaluar, transmeton Lideri.mk.

Në disa raste policia gjen paratë dhe sendet e vjedhura dhe ua kthen pronarëve./Lideri