Këshilli i Prokurorëve Publikë pritet që sot, në një seancë, të caktojë ushtrues detyre të prokurorit publik shtetëror, pasi prokurori publik shtetëror Lupço Kocevski të martën dorëzoi dorëheqje të parevokueshme, ndërsa Kuvendi po atë ditë konstatoi përfundimin e mandatit të tij. Seanca e Këshillit të Prokurorëve Publikë është caktuar për ora 11:00.

Dje, kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, deklaroi për TV21 se letra e dorëheqjes është pranuar dhe se seanca do të mbahet.

“Procedurat kanë filluar, letra na ka ardhur dhe tani pason seanca për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së prokurorit publik shtetëror”, tha Besimi.

Ushtruesi i detyrës emërohet në përputhje me nenin 25, paragrafi 4 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe zgjidhet nga radhët e prokurorëve publikë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Detyrën do ta ushtrojë deri në emërimin e prokurorit të ri publik shtetëror, por jo më gjatë se gjashtë muaj.

Prokurorë publikë në Prokurorinë Publike të RMV-së janë: Anita Topolova Isajlovska, Ismail Dardhishta, Sonja Simovska, Ferat Elezi, Xhelal Bajrami, Elvin Veli, Lile Stefanova, Naum Panoski, Valentina Stojanovska dhe Zlatko Bikovski.

Ljupço Kocevski të mërkurën, në të njëjtën ditë kur Kuvendi duhej të debatonte për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij, në një konferencë për media njoftoi se kishte dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga funksioni.

Këshilli i Prokurorëve Publikë është i detyruar të përgatisë mendime të arsyetuara pozitive ose negative, në formë të shkruar, brenda 15 ditëve. Nëse për arsye të justifikuara Këshilli nuk dorëzon mendim në afat, afati zgjatet edhe për 15 ditë të tjera. Nëse as pas këtij afati nuk dorëzohet mendim, konsiderohet se mendimi është pozitiv.

Në rast se Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk jep mendim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim për emërimin e prokurorit publik dhe do t’i propozojë Kuvendit shpalljen e një konkursi të ri.

sqShqip