May 3, 2024
Kosovë

A do të largohet Lajçak nga detyra e emisarit për dialog pas zgjedhjeve në Sllovaki?

Gazetari për çështje evropiane dhe të NATO-s, Stephan Israel ka folur për zgjedhjet e fundit Sllovaki, ku fituese doli partia e qendrës së majtë e Robert Ficos, Drejtimi-Social Demokracia (Smer).

Israel në një postim në platformën “X” ka ngritur disa pyetje sa i përket të ardhmes së emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke shkruar se ai mund të kthehet si ministër i jashtëm në qeverinë e Ficos.

“A do ta kthejë Borrelli, emisarin fatkeq Miroslav Lajçak si ministër të Jashtëm në qeverinë Fico? Lajçak nuk është anëtar i partisë populiste të majtë Smer, por është i afërt me Ficon dhe ka shërbyer në qeveritë e tij të mëparshme, përfshirë si ministër i Jashtëm”, ka shkruar gazetari Israel.

Israel shkruan më tej se Lajçak mund të jetë i dobishëm për Ficon, për të qetësuar disi partnerët evropianë.

“Perspektiva të reja mund të hapen edhe për Maros Sefcoviq, puna e të cilit si përfaqësues dhe nënkryetar i Sllovakisë në Komisionin e BE skadon vitin e ardhshëm”, ka shkruar gazetari.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së shtunës më 30 shtator, popullisti pro-rus Robert Fico, 59 vjeç, do të kthehet në postin e tij të mëparshëm si kryeministër i Sllovakisë nëse mund të gjejë aleatë të mjaftueshëm për të formuar një qeveri.

I zgjedhur dy herë kryeministër i këtij vendi të Evropës Lindore me 5.4 milionë banorë, Fico ka bërë një rrugë të gjatë pasi u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2018 pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij.